Rusia po humbet luftën ekonomike me Perëndimin, me ekonominë e vendit që ka shënuar një rënie katastrofike dhe të pakthyeshme, pavarësisht se ka ndërpreë furnizimin me gaz në Europë, sipas një raporti të ri, shkruan Daily Mail.
Ndërsa paniku ka prekur ntë gjithë Europën për mundësinë e reduktimit të gazit dhe rritjes së çmimeve të energjisë, në fakt është Rusia ajo që po vuan më shumë, me sanksionet që po dëmtojnë në mënyrë katastrofike ekonominë e vendit.
Ky është verdikti nga një raport i Yale. Që nga pushtimi i tij i Ukrainës më 24 shkurt, Putin ka qenë i bllokuar në një luftë ekonomike me Perëndimin që po luftohet përmes sanksioneve, tregtisë dhe furnizimeve me energji.
Dhe ndërsa disa analistë kanë dënuar qëndrueshmërinë e ekonomisë ruse përballë përpjekjeve perëndimore për ta gjymtuar atë, ekspertët në Shkollën e Menaxhimit të Yale kanë arritur në përfundimin se “nuk ka rrugëdalje nga kriza ekonomike për Rusinë”.
Çdo sektor i vetëm i ekonomisë ruse është goditur – si importet ashtu edhe eksportet janë në rënie dhe aleatët e tij nuk po e ndihmojnë dhe në disa raste po përfitojnë. Buxheti i qeverisë është në deficit për herë të parë në vite dhe kjo pavarësisht çmimeve të larta të energjisë për shkak të reduktimeve të furnizimeve me gaz në Europë.
Ndërsa kjo strategji po u shkakton dhimbje të padyshimta qeverive europiane dhe në mbarë botën në formën e inflacionit, po vjen me një çmim që Putini nuk mund ta paguajë. Pozicioni i Rusisë si një eksportues kryesor i mallrave është përkeqësuar në mënyrë të pakthyeshme, thuhet në raport, pasi Rusia tani po bashkëpunon me vende si Kina dhe India, me humbjen e tregjeve të saj kryesore.
Eksportet e gazit të Rusisë në Kinë arritën vetëm në 10% të totalit të saj. Tërheqja e bizneseve perëndimore, të cilat përbënin rreth 40 për qind të PBB-së ruse, ka përmbysur gati tre dekada të investimeve të huaja, të cilat, së bashku me një eksod masiv të rusëve të rinj dhe të arsimuar, kanë përkeqësuar masivisht bazën ekonomike ruse.
Për më tepër, Rusia nuk është në gjendje të marrë hua kapitalin që do t’i duhet për të rikthyer ekonominë e saj të gjymtuar.