Policia rrugore ka vijuar me kontrollet në autostradën Tiranë-Durrës, ku edhe kanë penalizuar drejtuesit e mjeteve që ecin tej normave të lejuara.
“Blutë” kanë publikuar rastin e një 29-vjeçari, i cili po ecte me shpejtësi 172 km/h me justifikimin se po e prisnin në shtëpi.
“Nëse vërtet besoni se sado mjet luksi te keni mund të fluturoni aq me keq në kushte të lagështirës dhe më keq akoma të përdoresh dhe telefonin gjatë drejtimit të tij, ky nuk është “vetëbesim” por papërgjegjshmëri ndaj jetës tënde. Argëtohuni, por mos abuzoni,”-shkruhet në njoftimin e Policisë.
Policia shpreh shqetësimin se shumë drejtues automjetesh e përdorin autostradën Tiranë-Durrës si postë avioni duke ecur me shpejtësi skëterrë dhe duke u bërë shkak për aksidentet rrugore.
Policia njofton se do të vijojë monitorimin me radarë dhe në çdo rast që do të kapë drejtues mjetesh me shpejtësi tej normave do të ketë pezullim patentash.