BRUKSEL– Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në “Samitin e BE me Ballkanin Perëndimor”, i cili po zhvillon punimet e tij në Bruksel. Ashtu siç e do tradita, ky samit ka bërë bashkë liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor, të cilët kanë shkrepur së bashku dhe foton familjare.
Shefi i qeverisë shqiptare më herët u prit nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa. Ky do të jetë edhe takimi i parë , i cili udhëhiqet nga Antonio Costa, pasi mori detyrën e presidentit të Këshillit Europian, i cili së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, do të rikonfirmojnë angazhimin e Bashkimit Europian për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Shqipërisë shkon në këtë takim pas çeljes së negociatave për grupkapitullin e marrëdhënieve me jashtë, dy muaj pasi u hapen negociatat për grupkapitujt e Themeloreve, që përfshinin Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, Drejtësinë, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian synon të përmirësojë bashkëpunimin politik dhe të sigurisë me rajonin, duke nxitur përafrimin e plotë me politikat e jashtë dhe të sigurisë, përfshirë edhe kufizimet dhe sanksionet për vende të cilat kërcënojnë stabilitetin./abcnews.al