Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, ka nxitur diskutime edhe në Shqipëri. Ndryshimet e fundit politike atje kanë zgjuar shumë ithtarë të revolucioneve, të cilët bëjnë thirrje për përmbysjen e radhës në Shqipëri.Unë mendoj se paralelet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë përgjithësisht të papërshtatshme në shumë aspekte, për arsye të historisë dhe kulturës politike të ndryshme të të dy shteteve shqiptare.Ndryshe nga Shqipëria, Kosova nuk është një vend i polarizuar thellë për arsye ideologjike. Kosova ka përjetuar pushtim, luftë, çlirim, shtetformim, por jo përmbysje në kuptimin banal që mori ky term në Shqipërinë e viteve 90-të, kur në vend të ndryshimit rrënjësor të sistemit, vendi u përball më njëfarë përmbysjeje, që në fakt ishte vetëm këmbimi formal i një grupimi udhëheqës me një tjetër të ngjashëm, por pa ndonjë ndryshim esencial të mënyrës së funksionimit të shtetit dhe të shoqërisë.Kultura politike e Kosovës nuk e ka njohur modelin absurd të shkatërrimit të verbër të vlerave në emër të përmbysjes. Atje nuk janë dërguar për skrap fabrikat, edhe pse ishin ndërtuar nga një shtet pushtues, nuk janë djegur vreshtat, nuk janë zhdukur hekurudhat, nuk është pushtuar toka e tjetrit. Pra nuk kanë ndodhur shumica e absurditeteve që kësaj ane u shitën si thelbi i përmbysjes revolucionare të 1990-tës.Por para së gjithash, atje nuk është shkatërruar besimi. Atje i besohet TJETRIT; i besohet edhe komisionerëve të qendrave të votimit; atje vota administrohet përmes një sistemi të thjeshtë të ndërtuar mbi besim; votat numërohen në vend nga komisionerët e qendrës së votimit; për arsye se u besohet njerzëve, nuk ka nevojë për histeri të shtrenjta elektronike; rezultatet e votimit dalin shpejt edhe pa elektronikë; rezultatet e votimit pranohen nga ata që humbin, ndërkohë që ata që fitojnë nuk përmbysin. Ndryshimet në Kosovë nuk kanë arritur të prekin besimin, të cilin në Shqipëri e kanë vrarë përmbysjetPo përse ndodh kështu?Kur Kosova kishte Rugovën, ne kishim ne Berishën. Rugova besonte tek paqja, ndërsa Berisha tek përmbysja. Kur Rugova ndërtonte sistemet paralele të arsimit dhe të shëndetësisë në Kosovën e pushtuar, Berisha shkatërronte, jo vetëm vlerat e krijuara nga puna 45 vjeçare plot sakrifica e shqiptarëve, por edhe bazat elemetare besimit dhe të mirëkuptimit shoqëror; kur Rugova besonte tek forca e arsyes dhe e rezistencës paqësore edhe përballë pushtuesit, Berisha inkurajonte tërheqjen zvarrë, hedhjen në Lanë, apo kërrje (këtë fjalën ‚kërrej‘ vetëm ai e kupton), jo të pushtuesit(!), por të disa shqiptarëve të tjerë. Thënë shkurt: Kosova është një vend i ndryshimeve, ndërsa ishim vendi i përmbysjeve. E nëse ne, me të drejtë, duhet ta admirojmë standardin e sotëm të Kosovës me zgjedhjet, po ashtu duhet të kuptojmë se ai është rezultat i historisë së saj plot ndryshime, por pa përmbysje. Ndërsa ne kemi udhëtuar përmes përmbysjesh: nga njëra përmbysje tek tjetra, duke mbetur kështu në vend. Ka ardhur koha që të kuptojmë se përpara mund të shkojmë vetëm nëpërmjet ndryshimeve dhe jo përmes përmbysjeve.Përmbysja është e lehtë; ndryshimi është i vështirë. Përmbysja është aq e lehtë sa vetë shkatërrimi; ndryshimi është aq i vështirë sa vetë ndërtimi. Përmbysja është e shpejtë; ndryshimi është i ngadaltë. Përmbysja kërkon shumë urrejtje; ndryshimi kërkon mend, energji dhe dashuri. Përmbysja është ciklike; ndryshimi i vazhdueshëm. Përmbysja ka humbës që bëhën fitues dhe fitues që bëhen humbës; ndryshimi ka kryesisht fitues. Përmbysja është qëndrim në vend; ndryshimi është ecje përpara.Unë shpresoj që në Kosovë të ketë ndodhur një ndryshim i rëndësishëm dhe jo një përmbysje e madhe, si ato me të cilët është tjengopur Shqipëria në historinë e saj. Ndërsa në Shqipëri, besoj se që ka ardhur koha për ta arkivuar përfundimisht si retorikën ashtu dhe aksionin politik që orientohet drejt përmbysjeve. Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se përmbysja, apo thënë ndryshe, riciklimi i atyre që janë ndëshkuar një herë politikisht, është formula e sigurtë që garanton ecjen mbrapa të vendit dhe të shoqërisë tonë. Ajo që na duhet është zhvillimi përmes ndryshimit, duke u bazuar përherë tek ajo që kemi ndërtuar për të hedhur hapin e radhës përpara. Jo rifillim, por vazhdim.