Presidentja e Kosovës përshëndeti dje vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksione ndaj grupit të Veselinoviç, duke thënë se institucionet e vendit janë të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë ngushtë me Amerikën.
“I mirëpres sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Veselinoviçit dhe grupit të tij të krimit të organizuar në veri të Kosovës”. “Institucionet janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me SHBA-në për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, tha Osmani në “Twitter”. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i mirëseardhur vendimi i SHBA-së për identifikimin e emrave të përveçëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinoviç dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në Veri të Kosovës.
Në një shkrim në “Facebook”, kreu i qeverisë u shpreh se ky grup është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ky grup është dëshmia më e mirë se krimi në Veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve” , tha Kurti.
Më tej, theksoi se vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.
“Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, u shpreh tutje.
Kurti tha se krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare.
“Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkroi në fund Kurti.
Millan Radoiçiç, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviç, Srgjan Vulloviç, Zhelko dhe Andrija Bojiç dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.
Grupi akuzohet përveç të tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta. Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.
Vuçiç: Nuk është asgjë e re, i kanë akuzuar edhe më parë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pasi Millan Radoiçiç, Zvonko Vesellinoviç dhe 11 persona të tjerë të gjithë serbë nga Kosova janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së më 8 dhjetor.
“Ata i akuzuan fillimisht për tregti ilegale. Në fund do t’i akuzojnë që nuk po e respektojnë kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk është asgjë e re. Nëse ekzistojnë akuza serioze, organet tona shtetërore do t’i hetojnë”, tha Vuçiç. Presidenti serb shtoi se druan “që një dokument të këtillë do të mund të pranojë edhe për disa njerëz në funksione shumë më të larta në rajon”.