Seanca në Apelin e GJKKO për Laert Haxhiun, Dumani: Siguruan armët e zjarrit, kemi prova

AKTUALITET


Në Apelin e GJKKO-së u mbajt këtë të martë seanca për Laert Haxhiun. Ai kundërshton vendimin e shkallës së parë për dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Të pranishëm në sallë ishin vetëm prokurori Altin Dumani dhe avokati mbrojtës Detar Hysi, ndërsa i pandehuri, Laert Haxhiu, nuk mori pjesë.

Avokati i këtij të fundit kërkon pafajësinë apo shqyrtimin e çështjes në shkallë të parë me trup tjetër gjykuese. Ndërkohë Dumani sqaroi se si grupi i Laert Haxhiut siguroi informacion për hyrjen e Xhuljo Shkurtit në Shqipëri me të cilin kishte konflikt të gjatë.

“Shkalla e organizimit është e lartë. Ata sigurojnë informacion për hyrjen në Shqipëri të Xhuljo Shkurtit, sigurojnë armët e zjarrit etj.

Te gjitha këto prova provojnë ekzistencën e grupit të strukturuara kriminal. Lidhur me pretendimet për pavlefshmëri te zgjatjeve te afatit, me te drejte GJKKO ka rrezuar kërkesën e të pandehurit. Të gjitha zgjatjet e afateve i janë komunikuar mbrojtjes. 

Shqyrtimi gjyqësor ka administruar edhe prova të tjerë, siç janë dëshmitarët qe janë ndodhur në vendim e ngjarjes. Ata kanë identifikuar si autorë të tre këta të veprës penale. (Laert Haxhiun, Orges Bilbilin, Antero Kaloshin)”, tha Dumani.

Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme më 24 prill të këtij viti, për atë që është cilësuar si “Masakra e Lushnjes”, ngjarje e shënuar në vitin 2017, ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur. 

Dënimi ndaj tij u dha për kryerjen e një sërë veprash penale si “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.



Skip to toolbar