Sekretari i Shtetit Blinken, viziton Katarin e Gjermaninë për Afganistanin

BOTA


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po shkon në Katar në një udhëtim gjatë të cilit, ai do të vizitojë edhe në Gjermani për bisedime të rëndësishme me aleatë të Shteteve të Bashkuara mbi situatën në Afganistan.

“Do të falënderoj personalisht miqtë tanë në Katar dhe Gjermani për mbështetjen e jashtëzakonshme që kanë dhënë për të transportuar në mënyrë të sigurtë qytetarët amerikanë, afganët dhe të evakuuarit e tjerë nga Afganistan,” shkruante zoti Blinken në Twitter të dielën vonë.

Katari shërbeu si një qendër kryesore për transportin masiv amerikan nga Kabuli dhe ndalesa e parë për mijëra refugjatë afganë pas marrjes nën kontroll të vendit nga talebanët muajin e kaluar.

Edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin po viziton aleatët në Lindjen e Mesme për t’i falënderuar për ndihmën e tyre në evakuimet nga Afganistani, si edhe për t’u takuar me trupat amerikane. Ndalesat e tij përfshijnë Katarin, Bahreinin, Kuvajtin dhe Arabinë Saudite. “Po shkoj për të falënderuar personalisht partnerët tanë atje për mbështetjen e përpjekjeve të evakuimit nga Afganistani. Operacioni “ALLIED Refuge” nuk do të ishte i mundur pa miqtë tanë në Gjirin Persik. Mbështetja e tyre shpëtoi jetë,” shkruante zoti Austin të dielën.

Zoti Blinken u tha gazetarëve të premten se gjatë qëndrimit në Gjermani ai do të shkojë në bazën Ramshtajn të Forcave Ajrore të SHBA-së për të falënderuar trupat amerikane dhe për t’u takuar me refugjatët afganë. Ai do të kryesojë gjithashtu një takim virtual ministror prej 20 vendesh mbi Afganistanin të mërkurën së bashku me Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas. Ai tha se të 20 vendet “kanë kontribut në ndihmën për të zhvendosur afganët dhe për t’i mbajtur talebanët përgjegjës për të respektuar angazhimet e tyre.”

Talebanët kanë premtuar t’u lejojnë kalim të sigurt atyre afganëve dhe të tjerëve që duan të largohen nga vendi, por shumë afganë dyshojnë në besueshmërinë e zotimeve të tyre.

Të premten, sekretari Blinken përsëri mbrojti tërheqjen e Shteteve të Bashkuata nga Afganistani, duke thënë se një numër relativisht i vogël i qytetarëve amerikanë mbeten në vend dhe Departamenti i Shtetit është në kontakt aktiv me të gjithë ata.

Ai tha se SHBA mbetet e përkushtuar për të ndihmuar çdo amerikan që dëshiron të largohet si edhe kandidatët për Vizë të Posaçme Imigracioni dhe afganë të tjerë që kanë ndihmuar Shtetet e Bashkuara.

Administrata e Presidentit Biden është kritikuar nga ligjvënësit republikanë, grupet e të drejtave të njeriut dhe të tjerë për mënyrën e kryerjes së evakuimit nga Afganistani ,pasi talebanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht.



Skip to toolbar