Menjëherë pas sekuestrimit të parave ka reaguar ish kreu i ALUIZNI-t, Ferdinand Shehu, duke pretenduar se paratë e sekuestruara janë përfituar nga shitja e një hoteli.
Ky bllokim sipas policisë është bërë pasi transaksioni bankar është kryer me burime të paligjshme.
Ndërkohë që i pyetur nga “Ora Neës”, Ferdinand Shehu ka thënë se 1.5 milion eurot e sekuestruara janë të ardhura të siguruara nga shitja e një hoteli.
Sipas policisë, nëpërmjet një banke private, Shehu ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat”.
Ferdinand Shehu ka deklaruar se ndodhet në Itali dhe se transaksioni që po kryhej, ishte në përputhje me ligjet shqiptare dhe se do të kthehet për të sqaruar gjithçka.
“Aktualisht ndodhem në Itali, nuk kam asgjë për të fshehur, do të kthehem në Shqipëri. Transaksioni që po kryeja ishte në përputhje me ligjet shqiptare, në rrugë bankare dhe noter. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të cilën nga ky moment është ngarkuar avokatja ime. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të cilën nga ky moment është ngarkuar avokatja ime”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, policia po vijon hetimet për dokumentimin e këtij rasti dhe ka sekuestruar një sërë dokumentesh.