Gjykata e Fierit ka vendosur të sekuestrojë disa pasuri të Nikolin Gjolena, 36 vjeç, i dënuar me 12 vjet burgim nga GJKKO-ja, për “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sakaq, janë sekuestruar 19 pasuri të paluajtshme, në Tiranë dhe Durrës. Hetimet kanë dokumentuar se ky person i kishte tjetërsuar këto pasuri me vlerë totale rreth 2.5 milionë euro, në favor të të afërmve.
Konkretisht u sekuestruan 10 apartamente në Durrës, 5 apartamente në Tiranë, 1 njësi tregtare në Durrës, 2 garazhe në Tiranë dhe 1 ndërtesë në Tiranë.
Aktualisht po vijojnë hetimet për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera, që ky shtetas dhe shtetasit e lidhur me të, mund të kenë përfituar nga veprimtaria kriminale.