Policia e Kosovës ka sekuestruar 10 kg kokainë dhe ka ndaluar një person. Sipas njoftimit zyrtar, një automjet është ndaluar në magjistralen Fushë Kosovë- Prishtinë pasi kishte dyshime se trafikonte substanca narkotike.
Gjatë kontrollit, në makinë janë gjetur mbi 10 kilogramë kokainë, me vlerë prej 450 mijë euro.
Shoferi është ndaluar për 48 orë.
Po ashtu janë sekuestruar një veturë me targa vendore, 1445 euro, 8970 dinarë, dy telefonë dhe 17 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, gjegjësisht, Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, pas angazhimeve operative dhe hetimore në terren dhe në koordinim me institucionet kompetente ligjzbatuese, me datën 21.10.2024, në rrugën magjistrale Fushë Kosovë-Prishtinë, ka ndaluar një veturë të dyshuar për trafikim me substanca narkotike.
Gjatë operacionit policor të koduar “007”, Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën e drejtonte personi i dyshuar Z. J., shtetas kosovar, ku gjatë kontrollit të veturës së tij, në bagazh janë gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 (katërqind e pesëdhjetë mijë euro).
Lidhur me rastin, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda, është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar në komunën e Graçanicës.
Gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë,
një veturë me targa vendore,
1445 (njëmijë e katërqind e katërdhjetë e pesë euro),
8970 (tetëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë dinarë),
dy telefona celularë,
17 (shtatëmbëdhjetë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave) të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës.
Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është inicuar rasti për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’.