Senatori Jack Reed vizitë në rajonin e Ballkanit, takime me autoritetet e Kosovës

KOSOVA


Kryetari i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, Jack Reed, po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite në rajonin e Ballkanit, mes tensioneve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit lidhur me situatën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Senatori Reed, i cili u takua të martën pasdite me Presidenten e Kosovës, Vjosa Omsani, do të diskutojë edhe me përfaqësues ndërkombëtarë mbi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës si dhe situatën e sigurisë në rajon.

Ai do të takohet edhe me ushtarët nga Rhode Island, pjesë e disa qindra trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë. Mbi 90 ushtarë të NATO-s pësuan plagë në fund të muajit maj gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në veri të Kosovës, të cilët kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve shqiptarë të komunave që dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga partitë serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për të ulur tensionet, ndërsa kanë zbatuar masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri.

Opozita në Kosovë e kritikon qeverinë për dëmtim të marrëdhënieve me aleatët posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, roli i të cilave vlerësohet i pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë./voa



Skip to toolbar