Kryetari i Kuvendit të Bujanocit, Enver Ramadani i është drejtuar me një letër publike ministrit në detyrë të jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakajt pasi këtij të fundit Serbia i refuzoi titullin ”Qytetar Nderi”.
Ishte pikërisht Ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëadministrimit Lokal, Marija Obradoviq që vulosi vendimin për refuzimin e këtij titulli.
Por nga ana tjetër Enver Ramadani nuk dorëzohet, teksa thotë se Cakaj është mik i Bujanocit dhe do e mbajnë të nderuar siç e do zakoni.
Ai garanton se Cakaj për Bujanocin është tashmë një ”Qytetar Nderi”.
NJOFTIMI NGA MEPJ
Nëpërmjet një letre publike drejtuar Ministrit nër detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Enver Ramadani, bën me dije se pavarësisht vendimit të ministres së Administratës dhe Vetadministrimit lokal, Marija Obradoviq, për mosdhënien e pëlqimit kundrejt propozimit të 26 këshilltarëve të Kuvendit Komunal, Kryediplomati Cakaj do të mbetet “Qytetar nderi” i Komunës së Bujanocit.
Siç thekson Ramadani në letrën e tij, angazhimet e Ministrit Cakaj kanë nderuar secilin nga qytetarët e Komunës së Bujanocit pa dallim feje, race dhe etnie.
“Duke kontribuar me demokratizimin e politikës proaktive e proevropiane, Gent Cakaj do të vazhdojë të jetë shembull i krijimit të hapësirave të komunikimit dhe bashkërendimit.” – u shpreh Ramadani.
Sipas Ramadanit, arsyetimi i ministres Obradoviq për mos dhënien e pëlqimit ndaj propozim vendimit për shpalljen “Qytetar nderi” të Kreut të Diplomacisë Gent Cakaj, nuk flasin për të apo për komunën e Bujanocit, por pikërisht për vetë ministren dhe qeverinë që i takon ajo.
“I dashur mik i vyeshëm i Komunës së Bujanoc Gent Cakaj, Komuna e Bujanocit të ka shpallur qytetar nderi pavarësisht refuzimit të ministres Obradoviq për dhënien e pëlqimit. Mik i yni Gent, ne të mbajmë të nderuar ashtu siç e do zakoni.”- përfundoi Ramadani.