Rikthehen incidentet në shkolla, pas ngjarjes së rëndë në Tiranë, ku mbeti i vrarë një 14-vjeçar.
Këtë herë një sherr me thika ka ndodhur në fshatin Cakran, Fier, ku sot dy nxënës të shkollës së mesme u përfshinë në një konflikt të dhunshëm.
Rreth orës 08:30, gjatë një përleshjeje mes dy bashkëmoshatarëve, shtetasi B.D., 17 vjeç, ka goditur me thikë shtetasin Y.Xh, i cili është nxënës po në këtë shkollë.
Pas ngjarjes, shtetasi Y.Xh. u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas mjekëve, i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia lokale ka reaguar shpejt dhe ka mundur të kapë dhe të shoqërojë shtetasin B.D. për veprime të mëtejshme hetimore. Po ashtu, autoritetet kanë sekuestruar thikën e përdorur si provë materiale.
Grupi hetimor ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij incidenti, dhe do të merren masa në përputhje me ligjin.