Seuli e akuzon Korenë e Veriut për dërgimin e ushtarëve në Rusi

BOTA


Koreja e Jugut tha të premten se Pheniani nisi zhvendosjen e forcave speciale në Rusi në fillim të këtij muaji, pak ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Korenë e Veriut se ka dërguar ushtarë dhe armë për ta ndihmuar Kremlinin në luftën e tij kundër Ukrainës.

Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare i Koresë së Jugut (NIS) tha në një komunikatë më 18 tetor se ka gjurmuar lëvizjet e ushtrisë së Veriut nga 8 deri më 13 tetor dhe se ka kapur imazhe të Koresë së Veriut duke dërguar forca speciale në territorin rus përmes një anije ruse.

Ajo tha se kjo është hera e parë që një anije e Marinës Ruse u zbulua duke hyrë në ujërat e Koresë së Veriut prej vitit 1990, “duke konfirmuar fillimin e pjesëmarrjes së ushtrisë koreanoveriore në luftë”.

“Ushtarët koreanoveriorë të dërguar në Rusi janë aktualisht të stacionuar në bazat ushtarake ruse në Lindjen e Largët, duke përfshirë Vladivostokun, Usuriskun, Habarovskin dhe Blagovesçenskun, dhe pritet të dërgohen në vijat e frontit sapo ta përfundojnë trajnimin e tyre të përshtatjes”, thuhet në njoftimin e NIS-it.

“Ushtarët koreanoveriorë u pajisën me uniforma ushtarake ruse dhe armë të prodhuara në Rusi, dhe gjithashtu me karta identiteti të falsifikuara të banorëve të rajoneve të Siberisë, Jakutia dhe Buriatia, të cilët ngjanin me koreanoveriorët. Duket se ata janë maskuar si ushtarë rusë për të fshehur faktin që janë dërguar në fushën e betejës”, thuhet tutje.

Deklarata përfshin harta dhe fotografi që pretendojnë se mbështesin këto pohime, të cilat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Thashethemet mbi rolin e Koresë së Veriut në konflikt janë shtuar pas forcimit të marrëdhënieve midis Moskës dhe vendeve si Koreja e Veriut dhe Irani, gati 32 muaj pasi Moska e filloi pushtimin e plotë të Ukrainës.

Instituti për Studimin e Luftës, një organizatë ushtarake amerikane me seli në Uashington, gjithashtu raportoi rishtazi se disa mijëra trupa koreanoveriore kishin mbërritur në Rusi dhe po përgatiteshin për t’u zhvendosur në Ukrainë.

Kremlini i ka mohuar më parë pretendimet e Koresë së Jugut se Pheniani e ka furnizuar Moskën me predha artilerie dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi, por nuk ka komentuar për pretendimet më të fundit nga Seuli apo nga Zelensky, i cili më 14 tetor tha se “nuk bëhet fjalë më vetëm për transferimin e armëve. Në fakt, bëhet fjalë për transferimin e njerëzve nga Koreja e Veriut te forcat pushtuese ushtarake”.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, duke folur në Bruksel më 18 tetor, tha se aleanca ushtarake nuk mund të konfirmojë raportimet se trupat koreanoveriore janë “angazhuar aktivisht” në konfliktin në Ukrainë.

Ministrat e Mbrojtjes nga 32 vendet anëtare të NATO-s janë takuar për të diskutuar rreth zhvillimeve në Ukrainë, si dhe çështje të tjera.



Skip to toolbar