Shahini sulmon Metën: Zhgënjyes, mban peng universitetet

AKTUALITET


Ministrja e Arsimit, Besa Shahini teksa njoftoi të martën datën e zhvillimit të zgjedhjeve për drejtuesit e universiteteve, akuzoi presidentin Ilir Meta për mos miratimin e vendimit të saj për shkarkimin nga detyra të rektorit Mynyr Koni, duke mbajtur në detyrë një person që vijon të mos zbatojë ligjet. Sipas Shahinit vendimi i Metës për të bërë politikë edhe me universitetet është zhgënjyes. Ajo tha se nga universiteti i Tiranës kanë ardhur shumë ankesa për shkak se strukturat drejtuese nuk bashkëpunojnë,  ndërsa rektori Koni refuzon të zbatojë ligjet në fuqi.

“Gjatë vitit 2019 kemi marrë shumë ankesa në lidhje me universitetin e Tiranës. Ajo që është e çuditshme në lidhje me këtë universitet është se ankesat na vijnë edhe nga strukturat drejtuese, pra nga rektori, nga dekani, nga bordi i administrimit, që do të thotë se situata në drejtimin e këtij universiteti nuk është përmirësuar. Kam ngritur një grup inspektimi për të vlerësuar ankesat dhe konkluduan që ankesat që vijnë nga strukturat drejtuese të universitetit të Tiranës nuk vijnë se ka paqartësi nga ligjet, por vijnë nga refuzimi i zbatimit të bazës ligjore nga rektori dhe refuzim i pashpjegueshëm për bashkëpunim që kanë strukturat drejtuese në këtë universitet. Vitin e kaluar unë kërkova shkarkimin e rektorit bazuar në një sërë shkeljesh ligjore të rektorit, por presidenti i republikës vendosi të mos e firmosë shkarkimin e rektorit. La në detyrë një rektor që vazhdon të shkaktojë probleme serioze në menaxhimin e universitetit. Për mua është zhgënjyese që presidenti  në vend që të kontribuojë në përmirësimin e situatës në universitet ai vendosi të bëjë politikën e tij të zakonshme të refuzimit të çdo lloj propozimi që vjen nga qeveria jonë. Por unë kam shpresë që zgjedhjet e vitit 2020 do të prodhojnë drejtues që mendojnë për të mirën e universiteteve”, tha Shahini.

Ajo njoftoi se zgjedhjet e drejtuesve në universitetet e vendit do të zhvillohen në 8 maj, dhe se do të jetë kusht që kandidatët të verifikohen në lidhje titujt akademikë të fituar nëse ka bërë ose jo plagjaturë. Ministrja njoftoi se është bërë gati platforma anti-plagjaturë e cila më parë do të aplikohet tek kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhjet e universiteteve dhe më pas do të aplikohet edhe tek pedagogët dhe studentët.

“Kandidatët për strukturat drejtuese duhet të jenë persona me integritet të lartë akademik. Kemi kërkuar që këshillat e etikës të bëjnë kontrolle për titujt akademikë që ata kanë fituar. Pra të bëjnë kontrolle anti-plagjaturë. Unë pres që ky element të jetë i përfshirë edhe në rregulloret që nxjerrin universitetet. Ne kemi gati platformën anti-plagjaturë e cila do të përdoret për kandidatët për strukturat drejtuese të universiteteve. Në varësi të përdorimit të platformës ne do të blejmë qasje më të gjerë që të aplikohet edhe tek studentët. Duam që praktika e kontrollit anti -plagjaturë të aplikohet edhe tek studentët dhe pedagogët, në mënyrë që të sigurojmë integritetin akademik të këtyre punimeve”, tha Ministrja e Arsimit.



Skip to toolbar