Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar të tjera ndihma për qytetarët shqiptarë, që u prekën rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Ambasada Amerikane në Tiranë njofton përmes një mesazhi në “Facebook” se SHBA u ka dhuruar Forcave të Armatosura Shqiptare mbi 330 mijë dollarë pajisje për raste emergjencash.
Ndër të tjera, SHBA ka sjellë në vendin tonë gjeneratorë, tenda, elementë ngrohjeje dhe pajisje të tjera.
“Sot, qeveria e Shteteve të Bashkuara u dhuroi Forcave të Armatosura Shqiptare mbi 330,000 dollarë pajisjesh për raste emergjencash, në mbështetje të përpjekjeve të vazhdueshme humanitare pas tërmetit të 26 nëntorit.
Gjeneratorët, tendat, elementët e ngrohjes dhe pajisjet e tjera të dhuruara do të ndihmojnë gjithashtu edhe në përpjekjet e ardhshme humanitare dhe të reagimit ndaj emergjencave. SHBA qëndron krah Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.