Shtetet e Bashkuara ia kanë dhuruar Policisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës shtatë dronë të mërkurën, të cilët do t’i shërbejnë kësaj force për misione vëzhguese dhe taktike, sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Gjatë një ceremoni të nënshkrimit të donacionit në Prishtinë, Hovenier tha se ndihma më e fundit e SHBA-së për institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë “pasqyron përkushtimin afatgjatë të tyre për zhvillimin e Policisë së Kosovës”.
“Kjo është dëshmi shtesë e besimit të SHBA-së ndaj Kosovës për kryerjen e misioneve të pavarura në luftë kundër narkotikëve dhe zbatim të ligjit”, tha Hovenier.
Donacioni amerikan për Policinë e Kosovës vjen rreth tri javë pasi ajo u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Duke e parë shkallën e aktiviteteve kriminale të grupeve të organizuara në rajon, këto mjete fluturuese pa pilotë do të jenë një burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për të luftuar veprimtarit kriminale në tokë dhe në ajër”, shtoi Hovenier.
Policia e Kosovës përdori dronë për ta xhiruar dhe identifikuar organizatorin e sulmit në Banjskë, Millan Radojçiç, i cili më vonë e mori përgjegjësinë për sulmin.