Kompania Pfizer të martën kërkoi nga rregullatorët amerikanë që të autorizojnë ilaçin e saj eksperimental për trajtimin e Covid-19, duke i hapur rrugën fillimit tëmundshëm këtë dimër të një trajtimi premtues të virusit në shtëpi.
Kërkesa e kompanisë Pfizer vjenë në një kohë kur infeksionet e reja po rriten sërish në Shtetet e Bashkuara, të nxitura kryesisht nga përhapja e virusit në shtetet ku moti më i ftohtë po i detyron amerikanët të mblidhen në ambiente të mbyllura.
Ilaçi i kompanisë Pfizer ka treguar gjatë provave klinike se ul ndjeshëm shkallën e shtrimeve në spital dhe atë të vdekjeve të njerëzve të infektuar me koronavirus. Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve tashmë po shqyrton një ilaç konkurrues të kompanisë Merck dhe disa prodhues më të vegjël të ilaçeve pritet gjithashtu të kërkojnë autorizim për ilaçet e tyre të trajtimit të koronavirusit në muajt e ardhshëm.
“Ne po ecim sa më shpejt që të jetë e mundur në përpjekjet tona për ta dërguar këtë trajtim të mundshëm në duart e pacientëve dhe ne mezi presim të punojmë me FDA-në në shqyrtimin e kërkesës sonë”, tha përmes një deklarate shefi ekzekutiv i kompanisë Pfizer, Albert Bourla.
Në mënyrë të veçantë, Pfizer dëshiron që ilaçi të jetë i disponueshëm për të rriturit që kanë infeksione të lehta deri në mesatare me Covid-19 dhe janë në rrezik të sëmuren rëndë. Kjo është e ngjashme me mënyrën se si aktualisht përdoren ilaçet e tjera për të trajtuar sëmundjen. Por të gjitha ilaçet aktuale për trajtimin e COVID-19, të autorizuara nga FDA-ja, duhet të jepen përmes injeksioneve nga personeli shëndetësor në një spital ose klinikë.
Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve do të zhvillojë një takim publikpër ilaçin Merck më vonë këtë muaj për të marrë mendimin e ekspertëve të pavarur përpara se të marrë vendimin e saj përfundimtar. Agjencisë nuk i kërkohet të thërrasë takime të tilla dhe nuk dihet ende nëse ilaçi i kompanisë Pfizer do t’i nënshtrohet një shqyrtimi të ngjashëm publik.
Disa ekspertë parashikojnë se ilaçet për trajtimin e COVID-19 përfundimisht do të kombinohen për të mbrojtur më mirë njerëzit nga efektet më të rënda të virusit.