SHBA: Raporti me Shqipërinë i pathyeshëm

AKTUALITET


E ngarkuara me Punë e Ambasadës të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Leyla Moses-Ones, ka konfirmuar marrëdhëniet e mira midis SHBA-së dhe vendit tonë. Moses-Ones u shpreh se partneriteti i SHBA me Shqipërinë është i pathyeshëm me një marrëdhënie të pamatshme.  “Çdo ditë të vitit ka forca amerikane këtu për të forcuar lidhjet tona të forta. Forcat shqiptare janë ndër më profesionalet. Forcat shqiptare kanë treguar se janë të përgatitura, të gatshme për të luftuar krah forcave të SHBA dhe NATO-s. Për më tepër Shqipëria ka respektuar zotimin e Samitit të Uellsit për arritjen në 2% të PBB”.

“SHBA e përgëzon Shqipërinë dhe mbështet përpjekjet e saj të vazhdueshme deri në vitin 2024. Fuqia e marrëdhënieve tona është e pamatshme dhe e pathyeshme. Për stafin amerikan të atasheut, puna juaj me zell sjell rritje të angazhimit. Për personelin shqiptar, ju jeni zemra e bashkëpunimit, asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur. Pa punën tuaj të madhe asgjë nuk do të ishte e mundur” tha e ngarkuara me punë e SHBA-së.

Ndërkohë, ministrja Olta Xhaçka, ka vlerësuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se vendi ynë nuk do të ishte këtu ku është pa pasur mbështetjen e SHBA. Xhaçka u shpreh se Shqipëria është në borxh të madh me Amerikën.

“SHBA na është gjetur në momentet më të vështira të historisë, i kemi një borxh mirënjohje shumë të madh, që nga momentet e themelimit. Pa këtë mbështetje historia e Shqipërisë do të kishte ndjekur një trajektore tjetër. Falë mbështetjes së SHBA, Shqipëria po hyn në fazën jetike të zbatimit të reformës në drejtësi. SHBA ka pajisur forcat e armatosura shqiptare me armë moderne. Në termat e kontributeve për frymë, Shqipëria renditet e dyta pas SHBA-së. Baza ajrore në Kuçovë do të kishte qenë e pamundur pa mbështetjen e SHBA-së” tha Xhaçka ndër të tjera.

E ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones dhe ministrja Olta Xhaçka i bën këto deklarata, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në ministrinë e mbrojtjes, ku u bë vlerësimi me Medaljen e Mirënjohjes për Zyrën e Atasheut Ushtarak të SHBA në Tiranë dhe Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak në Tiranë.



Skip to toolbar