Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy entiteteve të lidhura me përpjekjet e Iranit dhe Rusisë për të përhapur dezinformim tek votuesit amerikanë përpara zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën nëntorin e vitit që lamë pas.
Zyrtarët e Departamentit të Thesarit njoftuan vendimin të martën ndërsa thanë se dy entitetet përhapën informacione të rreme që synonin të nxisnin tensione politike dhe të godisnin kandidatët për president, përpara procesit zgjedhor të 5 nëntorit.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi nëpërmjet një deklarate se një organizatë e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit dhe një organizatë e lidhur me agjencinë ushtarake ruse të zbulimit synuan të “nxisin tensione shoqëroro-politike dhe të ndikojnë në elektoratin amerikan gjatë zgjedhjeve amerikane të vitit 2024”.
“Qeveria e Iranit dhe ajo e Rusisë vendosën në shënjestër proceset tona zgjedhore dhe institucionet, si dhe synuan të përçajnë popullin amerikan përmes fushatave të qëllimta të dezinformimit”, tha Zëvendës-sekretari në detyrë i Thesarit për Terrorizëm dhe Zbulim Financiar, Bradley Smith.
Sipas autoriteteve, Qendra për Ekspertizë Gjeopolitike (CGE), me seli në Moskë, përhapi dezinformata për kandidatët presidencialë dhe financoi e orkestroi krijimin e fotografive dhe videove të manipuluara përmes inteligjencës artificiale ‘deepfakes’.
Veçse ndaj grupit, sanksione u vunë edhe ndaj drejtorit të saj, që sipas autoriteteve kishte bashkëpunuar ngushtë me agjencinë ushtarake ruse të zbulimit dhe kishte mbikqyrur sulmet kibernetike dhe aktet e sabotimit kundër Perëndimit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, grupi Iranian, ‘Cognitive Design Production Center” është një degë e Gardës Revolucionare Paraushtarake të Iranit, e cila është përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara si organizatë terroriste. Sipas Departamentit të Thesarit ky grup planifikoi operacione për të ushtruar ndikim të paktën që nga viti 2023.
Agjencitë amerikane të zbulimit kanë fajësuar qeverinë e Iranit se është përpjekur të nxisë protesta në Shtetet e Bashkuara lidhur me luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë. Irani po ashtu është akuzuar se ka kryer sulme kibernetike ndaj adresave elektronike të disa prej zyrtarët më të lartë aktualë dhe të mëparshëm të Shteteve të Bashkuara, përfshirë zyrtarë të lartë të ekipit të fushatës zgjedhore të zotit Donald Trump.
Në muajt para zgjedhjeve të nëntorit, zyrtarët amerikanë të zbulimit thanë se Rusia, Irani dhe Kina kishte synuar të godisnin besimin në demokracinë amerikane. Ata arritën në përfundimin se Rusia dukej se synonte të përkrahte fitoren e zotit Trump. Nga ana tjetër, sipas zyrtarëve, Irani dukej se kundërshtonte kandidaturën e zotit Trump.
Gjatë mandatit të parë presidencial, zoti Trump i dha fund marrëveshjes bërthamore me Iranin, vendosi sërish sanksione ndaj Teheranit dhe urdhëroi vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani, një akt që nxiti zotimin e udhëheqësve iranianë për hakmarrje. Zyrtarët rusë dhe iranianë kanë hedhur poshtë akuzat se janë përpjekur të ndikojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2024.
“Rusia nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera”, tha në një përgjigje për agjencinë e lajmeve Associated Press një zëdhënës i ambasadës ruse në Uashington.
Zyrtarë nga Irani nuk i iu përgjigjën të martën kërkesave për koment të agjencisë Associated Press./voa