SHBA sfidon Kinën! Lufta për naftën iraniane dhe kontrollin e Ngushticës së Hormuzit

BOTA


Në vitin 2025, Kina ka importuar rreth 48% të nevojave të saj të naftës përmes anijeve që kalojnë Ngushticën e Hormuzit, pa llogaritur blerjet e paspecifikuara të naftës iraniane nën sanksione.

Sipas doganave të Pekinit, furnizuesit kryesorë ishin Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Omani, Iraku dhe Kuvajti. Kina ka rezerva strategjike kolosale që mund ta mbulojnë plotësisht për 200 ditë, krahasuar me 60 ditë për vendet perëndimore.

Megjithatë, situata nuk është thjesht një çështje tregu; ajo përfaqëson një sfidë strategjike të Shteteve të Bashkuara ndaj ndikimit kinez. Plani amerikan nuk synon vetëm sanksione, por përdor modelin e Irakut të vitit 2003, ku kontrolli i infrastrukturave dhe i fondeve të naftës ishte vendimtar. Në Irak, pas rënies së Saddam Hussein-it, një llogari e kontrolluar nga SHBA-të në Reservën Federale të New York-ut përdorej për të mbikëqyrur të ardhurat e naftës, duke kufizuar mundësinë e Irakut për të blerë armë.

Në rastin e Iranit, Shtetet e Bashkuara synojnë një skenar të ngjashëm: kontrollin e një llogarie të naftës iraniane në duart e tyre për të siguruar çarmatosjen e Gardës Revolucionare dhe të regjimit të Teheranit. Për këtë arsye, marrja nën kontroll e ishullit Kharg dhe portit të Bandar Abbas, pikat kryesore të eksporteve të naftës iraniane, është kyçe.

Kina ndjek me shqetësim zhvillimet, pasi çdo ndërhyrje e SHBA-ve mund të ndikojë në flukset e saj të naftës nga Gjiri Persik. Nëse Irani do të pranojë kushte për mbijetesën e regjimit, SHBA-të mund ta përdorë këtë si levë për të frenuar ose penguar shitjet e naftës iraniane drejt Kinës. Nga ana tjetër, nëse regjimi iranian mbetet agresiv, vendet e Gjirit Persik mund të kërkojnë mbështetje kineze për të ruajtur flukset e naftës, duke rritur ndikimin e Pekinit në rajon.

Aktualisht, bllokimi i përkohshëm i Ngushticës të Hormuzit ka bllokuar rreth 200 milionë fuçi naftë, sa dy ditë konsumi botëror dhe as hapja e tubacionit “Lindje-Perëndim” e Arabisë Saudite nuk mjafton për të kompensuar mungesën, duke e bërë të qartë se kontrolli mbi infrastrukturat e naftës iraniane mbetet çelësi i lojës. 



Skip to toolbar