Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, kritikoi të hënën (15 nëntor) Rusinë për kryerjen e një testi raketor “të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm”.
Rusia ka hedhur në erë një satelit të saj në hapësirë, duke krijuar një re mbeturinash që detyroi ekuipazhin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor të ndërmarrë veprime.
“Më herët sot, Federata Ruse në mënyrë të pamatur kreu një test satelitor shkatërrues kundër një prej satelitëve të saj. Testi deri më tani ka gjeneruar mbi 1,500 pjesë të mbeturinave orbitale dhe qindra mijëra copa më të vogla që tani kërcënojnë interesat e të gjitha kombeve”, tha Price në një konferencë për media.
Departamenti i Shtetit thotë se testi do të rrisë rrezikun për astronautët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës si dhe aktivitetet tjera të fluturimeve të njerëzve në hapësirë.
Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës është një stacion hapësinor në orbitën e ulët të Tokës.
Ky është një projekt shumëkombësh bashkëpunimi që përfshin pesë agjenci hapësinore pjesëmarrëse: NASA (SHBA), Roscosmos (Rusi) , JAXA (Japoni), ESA (Agjenci Evropiane) dhe CSA (Kanada). Pronësia dhe përdorimi i stacionit hapësinor përcaktohet me traktate dhe marrëveshje ndërqeveritare.