SHBA, Zuckerberg darkon me Trump në Florida

BOTA


Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump ka darkuar dje në mbrëmje me CEO-n e “Meta-s” Mark Zuckerberg në resortin Mar-a-Lago, në Florida, sipas AP. Stephen Miller, i cili është emëruar zëvendësshef i stafit për mandatin e dytë të Trump, tha se Zuckerberg, ashtu si liderët e tjerë të biznesit, dëshiron të mbështesë planet ekonomike të Trump.

CEO i teknologjisë ka kërkuar të ndryshojë perceptimin e kompanisë së tij – pas një marrëdhënieje të vështirë me Trump.

“Mark, padyshim, ka interesin e tij, ai ka kompaninë e tij dhe axhendën e tij”, tha Miller në një intervistë për “Fox News”.

“Por, ai e ka bërë të qartë se dëshiron të mbështesë “ripërtëritjen kombëtare” të Amerikës nën udhëheqjen e Trump”, shtoi ai.

Një zëdhënës i “Meta-s” konfirmoi se Zuckerberg dhe Trump ishin takuar dje – duke shtuar se ai ishte ftuar për darkë me presidentin e sapozgjedhur dhe anëtarë të tjerë të ekipit të tij – për të folur për administratën e ardhshme. Trump u përjashtua nga Facebook pas sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol të SHBA-së. Kompania rikthehu llogarinë e tij në fillim të vitit 2023.

Zuckerberg që atëherë ka mbajtur një qëndrim pozitiv ndaj Trump. Në fillim të këtij viti, ai vlerësoi përgjigjen e Trump ndaj atentatit të tij të parë. Zuckerberg u ankua gjithashtu se zyrtarë të lartë të administratës së Biden i kishin bërë presion Facebook-ut për të “censuruar” disa përmbajtje rreth COVID-19 gjatë pandemisë.



Skip to toolbar