Shefi i Pentagonit në spital, ia transferon kompetencat zëvendëses së tij

BOTA


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, është shtruar në një repart të kujdesit kritik për shkak të problemeve me fshikëzën, duke ia transferuar përgjegjësitë zëvendëses së tij, tha Pentagoni të dielën.

Austin po përballet me kancer në prostatë.

Nënsekretarja amerikane e Mbrojtjes, Kathleen Hicks, “mori funksionet dhe përgjegjësitë” pak para orës 17:00, sipas kohës lokale, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, përmes një deklarate, duke shtuar se për këtë janë njoftuar Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi.

Austin është “pranuar në një njësi të kujdesit kritik në Qendrën Kombëtare Spitalore Ushtarake Walter Reed, për mbështetje shëndetësore dhe monitorim”, tha Pentagoni përmes një deklarate tjetër, duke cituar mjekët e tij.

Ky njoftim rreth shëndetit të shefit të Pentagonit vjen pasi Austin, 70 vjeç, paraprakisht kishte mbajtur sekret shtrimin në spital dhe nuk kishte njoftuar menjëherë presidentin amerikan, Joe Biden, për diagnozën e tij me kancer, duke nxitur kritika pasi SHBA-ja po përballet me krizat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Austin ishte zhdukur nga syri i publikut gjatë trajtimit për kancerin në prostatë në dhjetor dhe më pas në janar, pasi kishte pasur ndërlikime gjatë një procedure.

Këtë herë, publiku u njoftua dy orë pasi ai u dërgua në spital të dielën pasdite.

Austin “u transportua nga ekipi i tij i sigurimit” në spital, tha Ryder përmes deklaratës. Ky zëdhënës fillimisht tha se shefi i mbrojtjes mori me vete sisteme të klasifikuara të komunikimit dhe do të mbante detyrat.

Por, në njoftimin e dytë u bë e ditur se Hicks do të merrte përgjegjësitë e Austinit.

“Aktualisht nuk është e qartë se sa do të qëndrojë në spital sekretari Austin”, u tha në deklaratën e fundit të Pentagonit, që iu referua Dr.John Maddox dhe Dr.Gregory Chesnut nga spitali Walter Reed që gjendet në Marilend.

Muajin e kaluar, Austin kishte kërkuar falje pasi u përball me kritika se kishte mbajtur sekret shtrimin paraprak në spital.

“Është dashur që ta njoftoja presidentin për diagnozën time me kancer”, u tha ai gazetarëve më 1 shkurt.

Shtrimi i tij në spital po ndodh në kohën kur SHBA-ja po përballet me krizat në Lindjen e Mesme, ku forcat amerikane në Irak dhe Siri pothuajse përditë po përballen me sulme nga militantët e mbështetur nga Irani në shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes së Uashingtonit për Izraelin.

Zyrtari më i lartë i mbrojtjes në SHBA po ashtu është figurë kyçe në përpjekjet e administratës Biden për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus, përderisa ligjvënësit republikanë në Kongres po refuzojnë të miratojnë ndihmën e re ushtarake për Kievin.



Skip to toolbar