Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare, ku do të diskutohen një sërë projektligjesh.
Ashtu siç edhe është njoftuar nga Kuvendi, seanca nisi në orën 10:00.
Deputeti i PD-së, Tritan Shehu ishte i pari që mbajti fjalën sot në Kuvend, ku i kërkoi llogari kryeministrit Edi Rama ne nje interpelance për nismën e tij për “Ballkanin e Hapur”. Sipas Shehut, kjo nismë u ideua në zyrat e Vuçiç.
“Ju falënderoj për këtë interpelancë, për këtë çështje. Kjo çështje përfshin një gamë të gjerë për Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë. Këtu kërkohet një diskutim i gjerë, që duhej të bëhej para shpalljes së nismës në Novi Sad. Akoma më keq, kërkon dhe kërkonte zëvendësimin e tyre me një nismë tjetër. Jam dakord se kjo iniciativë nuk u bë brenda zyrave të PS apo në Ministrinë e Jashtme. Ajo nuk u përgatit as me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. U ndërtua mbi bazë nacionalizmi, me vizionin gjeopolitik të Serbisë. Në fakt është e montuar si një ngrehinë e përbashkët me ide serbe. Kemi të bëjmë me një mbivendosje të të dy projekteve, atë të Serbisë së Madhe mbi një Jugosllavi të re. Ju zoti kryeministër u bëtë mbështetës i kësaj nisme. Koha i dha asaj një ngjyre të rrezikshme, jo vetëm për Prishtinën, por me hapjen e historisë me ‘tretjen’ e Kosovës. Ju zoti kryeministër u përfshirë në një projekt të rrezikshëm dhe jo të realizueshëm. U përfshirë në një nismë me një Kosovë të pabarabartë. Gjykoj se një cilësim të mirë për këtë nismë e ka dhënë ministri i jashtëm i Malit të Zi, se dëme të janë të mëdha. Përse hyjnë në punë ‘Ballkani i hapur’ përballë Shengenit të Ballkanit? Kjo nismë nuk mund të kishte punë tjetër veç asaj që ka, dështimin e saj, siç u pa nga rezultati i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. Vuçic preferoi Moskën dhe Putin, nga u kthye me premtime kundër Kosovës.”, tha Shehu.