Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion të ri lidhur me qytetarët e lënduar nga tërmeti i fuqishëm që tronditi vendin. Ministria thekson se 10 qytetarë ndodhen në observim mjekësor, ndërsa pjesa tjetër ka lënë spitalet.
Sipas këtij institucioni, gjithsej kanë marrë shërim mjekësor 105 qytetarë të lënduar nga tërmeti, 75 prej të cilëve janë vendosur te “Trauma”, kryesisht me dëmtime të shkaktuara nga rrëzimet apo goditjet. Tashmë, MSH thekson se janë 7 qytetarë te “Trauma” dhe 3 në Spitalin e Durrësit, që vijojnë të marrin shërbim mjekësor.
“Vijon gatishmëria e ekipeve mjekësore në spitalin e Traumës, në QSUT dhe në spitalin e Durrësit. Spitalet janë në gatishmëri të plotë, me staf të përforcuar mjekësor. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në zbatim planin e gatishmërisë për rastet e emergjencave”, deklaroi Ministria e Shëndetësisë.
