Një përplasje me armë në një lokal në Itali ka shkaktuar plagosjen e një emigranti shqiptar, i cili nuk dihet nëse ka qenë i përfshirë në konflikt por thjesht klient. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të së shtunës në zonën e Piotello në Milano, ku për pasojë një 40-vjeçar shqiptar mbeti i plagosur.
Për shkak të dëmtimeve të shumta ai u transportua në spitalin e San Raffaele, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Policia u lajmërua nga të zotët e lokalit, pas të shtënave me pistoletë, ku krahas shqiptarit mbeti i plagosur më lehtë edhe një klient tjetër. Lidhur me ngjarjen policia italiane po heton për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërkohë që mësohet se gjendja e shqiptarit të plagosur paraqitet e rëndë.