Sherret në seancë/ Balla: Shpresojnë të motivojnë mbështetësit për protestë. Kalojmë në votim!

Më të fundit


Pas kaosit dhe tensioneve të shkaktuara në seancën plenare nga deputetët e Partisë Demokratike, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi në sallën e Kuvendit duke akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të punimeve parlamentare.

Në fjalën e tij, Balla u shpreh me ironi se sjellja e opozitës lidhet me përpjekjen për të motivuar mbështetësit e saj që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar, duke sakrifikuar debatin institucional dhe respektimin e procedurave parlamentare.

“Me shpresën se do të motivohen mbështetësit e Partisë Demokratike për të shkuar në protestën e paralajmëruar, opozita po pengon zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit”, deklaroi Balla.

Ai theksoi se, në respekt të plotë të procedurës parlamentare dhe bazuar në nenin 49, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, mazhoranca gjendet në pamundësi për të zhvilluar diskutimet e parashikuara në agjendën e ditës, përfshirë edhe çështje të rëndësishme si lufta kundër krimit.

“Sot kemi pasur në axhendë diskutime të rëndësishme, përfshirë edhe luftën kundër krimit, por duket qartë se opozita nuk dëshiron debat dhe nuk lejon zhvillimin normal të seancës”, u shpreh Balla.

Në këto kushte, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS i bëri thirrje Kuvendit që të procedohej sipas rregullores. “Ju lutem, të kalojmë menjëherë në votim, sipas propozimit tim”, përfundoi Balla.



Skip to toolbar