Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ka akuzuar opozitën si përgjegjëse për bllokimin e seancës së sotme parlamentare, duke thënë se ishte një skenar që e kishin përgatitur më herët.
Çuçi tha jashtë parlamentit se asnjë prej deputetëve të opozitës nuk ishte regjistruar për të folur, çka do të thotë sipas tij, se kishin planifikuar të bllokonin seancën.
“Sot besoj ju dhe gjithë shqiptarët ishit dëshmitarë të një skene aspak të pranueshme, qoftë edhe për një vend si Shqipëria, që ka pasur një fazë tranzicioni të gjatë dhe është një shtet demokratik që po konsolidohet përditë.
Ju e patëtë gjithë çfarë skenari kishin përgatitur kolegët e opozitës, them skenar se sot ishte seanca ku ne i drejtohemi dhe shprehim shqetësimet e marra nga java e gjelbër. Asnjë nuk ishte regjistruar më parë për të folur, domethënë ishin përgatitur për këtë skenar. Ju garantoj që kjo gjë nuk do të ndodhë, parlamenti do të vazhdojë normalisht”, deklaroi Çuçi.
Deputeti socialist iu përgjigj edhe akuzave të grupimit të Berishës, që pretendon se është lënë jashtë proceseve parlamentare.
“Në asnjë parlament demokratik nuk është detyrë e mazhorancës të miratojë amendamentet e opozitës, por kjo ndodh, kur janë të duhura, për një kuadër të caktuar ligjor. Ashtu edhe komisionet hetimore, është e drejtë e opozitës, por Kushtetuta thotë se nuk duhet abuzuar me këtë dhe është objekt i temës së hetimit”, tha Çuçi.