Shi i dendur dhe shtrëngata, Shkodra rrezikon të përmbytet

AKTUALITET


Sipas Institutit të Gjeoshkencave reshjet e dendura të shiut dhe shtrëngatat do të vazhdojnë gjatë të hënës dhe të martës me intensitet të lartë në qarkun e Shkodrës i cili do të rrezikojë të përmbytet.

Në buletinin më të fundit të publikuar, IGJEUM njofton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta të ujit.

“Sot (e hënë, dt.04) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të RRITEN PRURJET në pjesët e larta malore duke përfshirë edhe kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Në pjesën fushore të basenit që i përket Lumenjve Drin-Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të ketë nivele të larta të ujit dhe me tendencë për rritje të niveleve dhe rrezikut në ditët e javës në vazhdim. Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të rriten”,- njofton IGJEUM.

Sipas IGJEUM sot pasdite (e hënë dt.04) dhe nesër (e martë dt.05) priten reshje intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarkun e Lezhës, Vlorës dhe Gjirokastrës do të ketë reshje me intensitet mesatar. Në qarqet e tjera parashikohen reshje me intensitet të dobët.

“Në fundjavë për shkak të rritjes së shkarkimit të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës në Lumin Buna por do të varen edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Për arsye të rrezikut nga përmbytja është vendosur shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Në pjesën tjetër të territorit do të ketë shtim të prurjeve ne te gjithë lumenjtë kryesorë por nuk ka paralajmerim për përmbytje lumore. Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve”, njofton IGJEUM.



Skip to toolbar