Shifrat “rrëzojnë” Kishën Ortodokse/ Nga censi i 2011 deri në censin e 2023, ortodoksët tkurren 8.12 përqind

AKTUALITET


“Rezultati i Censit 2023, në lidhje me përqindjen e numrit të të krishterëve ortodoksë, nuk pasqyron realitetin”. Kështu deklaron në një reagim zyrtar Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, duke iu referuar censit të fundit, që sipas kishës nuk janë të sakta.

“Regjistruesit, në shumë raste, nuk i pyesnin të intervistuarit për përkatësinë fetare. Kemi evidencë të dokumentuar se një numër i madh besimtarësh nuk u intervistuan, sepse nuk u vizituan nga asnjë regjistrues.”

Kisha i referohet të dhënave të vitit 1927, ku ortodoksët ishin më shumë në numra, teksa renditeshin si komuniteti i dytë më i madh pas myslimanëve, duke lënë pas katolikët.

“Sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67.5%; ortodhoksët 22.3% dhe katolikët 10%.”

Ndërkohë, sipas të dhënave të censit të fundit në Shqipëri rezultojnë 173 645 besimtarë ortodoksë. Në censin e vitit 2011 ortodoksë janë deklaruar 188 992. Shifrat tregojnë se ortodoksët janë tkurrur me 8.12 %.

Situatë e njëjtë ka ndodhur edhe me komunitetet e tjera fetare në vend. Në censin e vitit 2011, rezultojnë 1 587 608 myslimanë dhe në vitin 2023, 1 101 718. Sipas shifrave, komuniteti më i madh fetar në vend ka pësuar një tkurrje me 30.6%. Ndërkaq, në censin e kaluar të krishterët katolikë rezultonin 280 921 dhe tek i fundit 201 530, duke u reduktuar me 28.2 %.

Në total të dhënat e censit të fundit treguan se krahasuar me 11 vite më parë numri i popullsisë në Shqipëri ka rënë me 419 mijë banorë. Pra, shifrat tregojnë një tkurrje të përgjithshme të popullsisë, nga e cila nuk mund të përjashtoheshin dhe ortodokset. Por po shifrat tregojnë se numri i të deklaruarve ortodokse është shumë më i ulët sesa i myslimanëve. Çka vërteton se pretendimet e kishës ortodokse, nuk qëndrojnë.



Skip to toolbar