Vetëm pak muaj më parë “arkitekti” gjerman i mesfushës, Toni Kroos njoftoi largimin nga “Galaktikët” e Real Madrid pas finales së Champions League kundër Borussia Dortmund, më 1 qershor dhe tërheqjen nga futbolli aktiv pas përfundimit të Euro 2024.
Një ndër mesfushorët më të mirë që kanë shijuar tifozët e lojës më të bukur në planet, zgjodhi t’i jepte fund karrierës fantastike si kampion edhe pse kishte mundësinë të vijonte edhe për disa sezone në “Santiago Bernabeu” apo të kalonte një “pension të artë” në SHBA.
Drejtuesit e “Los Blancos” kanë nisur menjëherë nga puna për gjetjen e zëvendësuesit të 34-vjeçarit, ku pavarësisht se tekniku Carlo Ancelotti ka pjesë të skuadrës shumë mesfushorë cilësorë dhe me të ardhme, por presidenti Florentino Perez është gati t’i bëjë një dhuratë të madhe. Deri më tani dy janë emrat që pëlqehen për të mbushur boshllëkun që do të krijojë Kroos, me Presidentin e “Galaktikëve”, që kërkon në Madrid me njërin prej Joshua Kimmich, të Bayern Munich apo Rodri të Manchester City.
Sigurisht që blerja e ndonjërit prej tyre nuk do të jetë mision i lehtë, por çdokush e ka të vështirë të refuzojë kur 14 herë fituesit e Champions League të trokasin në derë, diçka që e pranon edhe Kimmich, i cili është nën kontratë me “Bavarezët” deri në verën e vitit 2025.
“Për momentin nuk mendoj për të ardhmen. Në fillim do të ulem të bisedoj me drejtuesit e Bayernit. Ama, Barcelona dhe Real Madrid klube madhështore me histori të jashtëzakonshme”,- u shpreh “shkatërruesi” gjerman i mesfushës. /i.m /abcnews.al