SHISH ngre alarmin, shërbimet e huaja ndikojnë në vend me lajme të rreme, persona të drejtësisë manovra kundër Vettingut

AKTUALITET


Raporti për vitin 2019 i Shërbimit Informativ Shtetëror rendit një sërë problematikash në Shqipëri, ku theksi vazhdon të vendoset te korrupsioni, krimi organizuar, ekonomia dhe terrorizmi.

SHISH raporton se korrupsioni është ende i shpërndarë në administratën publike dhe në sistemin e drejtësisë. Në raport theksohet se në sistemin e drejtësisë po tregohet kujdes duke mos u ekspozuar. Inteligjenca shqiptare zbulon se proceset gjyqësore po zvarriten apo jepet dënimi maksimal, për të treguar performancë në vetting.

“Elementë të sistemit të drejtësisë shfaqin kujdes të shtuar për të shmangur ekspozimin dhe lidhjet me elementë të besuar me akses direkt në vetting, si dhe dëshirë për të dëshmuar performancë në proceset gjyqësore të drejtuara prej tyre, përmes formulimit të akuzave, zvarritjes së procedurave apo dhënies së vendimeve maksimale të parashikuara në ligj”.

Lidhur me gjendjen politike dhe sigurinë në rajon, në raport thuhet se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, vijojnë të përballen me një sërë kërcënimesh:
“Zhvillime të brendshme të brishta politike; aktivitete influencuese nga aktorë gjeopolitikë e rajonalë për të dëmtuar, ngadalësuar apo bllokuar proceset integruese euro-atlantike, retorikë nacionaliste ekstreme, përfshirja në korrupsion e elitave politike, emigracioni i paligjshëm, qeverisje e dobët dhe situatë e vështirë ekonomike, si dhe mungesa e përparimit në dialogun Kosovë Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së”.

Një tjetër shqetësim që ngre Shërbimi Informativ i Shtetit, është edhe ndikimi i shërbimeve të huaja të inteligjencës, me qëndrim jomiqësor ndaj vendit tonë, të cilat po përdorin “fake news” si armën më të fortë për të arritur qëllimet e tyre.

“Këtu ndikon edhe dukuria e lajmeve të rreme, që po përdoret gjerësisht për synime influencuese. Kanale mediatike të shkruara dhe online, media sociale po përdoren edhe për shtrembërimin dhe manipulimin e realitetit nëpërmjet mohimit, mashtrimit dhe dezinformimit, me synime të caktuara. Objektivi është të ndikojnë mbi opinionin publik, të dëmtojnë kohezionin social, përçajnë vendimmarrjet kombëtare dhe ato ndërkombëtare në raport me zhvillime të qenësishme, shënjestrojnë e denigrojnë aktorë e faktorë ndërkombëtarë në raport me qëndrimet/rekomandimet e tyre ndaj vendeve të rajonit përfshi vendin tone”.

Problem mbetet dhe krimi organizuar në vendin tonë, ku sipas Shërbimit Informativ ka kërkesë të lartë për kanabis. Grupet kriminale, sipas Shërbimit Informativ, janë të lidhura me Europën Qendrore për transportin e kokainës dhe heroinës.

SHISH vëren se në Shqipëri nuk ka akte terroriste, por veçon historinë se si u zbulua terroristi Rus Rasul Mislaev. Ai ndërpreu komunikimin kur oficerët i folën arabisht dhe më pas lindën dyshimet për një person me rrezikshmëri të lartë. Problem sipas Shërbimit Informativ mbeten edhe krimet në ekonomi dhe sulmet kibernetike.

Raporti-publik



Skip to toolbar