Ikën prokurori, garë në KLP

AKTUALITET


Kryeprokurorja Arta Marku ka shpallur vendin vakant për një anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas shkarkimit nga Vettingu të Gentian Osmanit. Shefja e organit të akuzës, në përmbushje të detyrimit të saj për një tjetër kandidat ka hapur garën për vendin vakant.

Prokurori që do të dorëzojë dokumentacionin e plotë ka të drejtën e kalimit të dy fazave të vettingut dhe vetëm atëherë mund të jetë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më tej, nëse shpreh interesin për prokuror në Prokurorinë e Posaçme. Thirrja është hapur më 2 shtator për të gjithë prokurorët e shkallës së parë dhe afati është deri më 17 shtator për të aplikuar të gjithë të interesuarit.

Gentian Osmani u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e nxori atë të pranueshëm për sistemin. Prokurori kishte kaluar procesin e vettingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por vendimi u ankimua në KPA nga Komisioneri Publik me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Trupi gjykues në KPA i kryesuar nga Natasha Mulaj dhe me anëtarë, Albana Shtyllën, Ardian Hajdarin dhe Rezarta Schuetz vendosën ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të Osmanit, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi secilin prej shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, bazuar në të gjitha provat e depozituara prej tij gjatë procesit gjyqësor dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Ndonëse KPA hodhi poshtë disa prej ankimimeve të Komisionerit Publik, në fund ka qenë mungesa e mbulimeve të shpenzimeve për dy vite nga ana e Osmanit që solli vendimin për shkarkimin nga detyra.



Skip to toolbar