Shkarkimi nga vettingu i gjyqtarit Arben Vrioni u bë shkak për dështimin e seancës së radhës ndaj Emiliano Shullazit dhe grupit të të pandehurve të tjerë në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda. Trupa gjykuese mbeti me dy anëtarë duke e bërë të pamundur vijimin e gjyqit. Kryesuesja Albana Boksi relatoi se Apeli i ka dërguar shkresë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku kërkon delegimin e një gjyqtari të ri.
Seanca e radhës është caktuar për në datën 2 dhjetor. Vitin e kaluar, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 14 vite heqje lirie Emiljano Shullazin, për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Për katër anëtarët e tjerë të grupit, gjykata caktoi: 12 vite burg për Gilmando Danin, 10 vite për Indrit Qyqjen dhe Indrit Zelën, ndërsa u dënua me 9 vite Blerim Shullazi.
Në vendimin e Gjykatës theksohet se askush nga të dënuarit nuk do të përfitojë liri me kusht. Në total, Gjykata e Krimeve të Rënda dha 55 vite burg për anëtarët e bandës, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar 64 vite. Pas apelimit të vendimit nga Shullazi dhe të tjerët, çështja zgjat prej më shumë se një viti.