Ulsi Manja, ka lexuar raportin përfundimtar përpara deputetëve në seancën e posaçme, miratuar disa ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, ku kërkohet ngritja e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Manja u shpreh se Ilir Meta ka bërë shkelje të rënda kushtetuese. “Duke vlerësuar se me anulimin e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë kushtetuese, 55 deputetë kërkuan shkarkimin e tij. Ky akt i Presidentit është në kundërshtim me parimet kushtetuese. Presidenti ka bërë disa shkelje kushtetuese. Komisioni i Ligjeve shqyrtoi këtë kërkesë, dhe vlerësoi se ajo është në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Nga pikëpamja substanciale përmban shkaqe nga ato që përcaktohen në kushtetutë për të legjitimuar ngritjen e Komisionit Hetimor”, tha ndër të tjera Ulsi Manja.
Gjithashtu, Ulsi Manja u shpreh se Presidenti ishte vënë në dijeni për të folur në Komisionin e Ligjeve, por ai ktheu përgjigje me një shkresë denigruese dhe fyese. “Kam vënë në dijeni Presidentin e Republikës Ilir Meta në lidhje me datën për mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, për të respektuar të drejtën e tij për tu përgjigjur. Shkresat së tij i është përgjigjur sekretarja, me gjuhë fyese, jo etike, me këtë shkresë Presidenti i Republikës dëshmoi qartazi se presidenti nuk kishte inters për të folur në Komisionin e Ligjeve. Komisioni ka konstatuar se: Presidenti ka nxjerr dekretin për miratimin e datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Manja.
Më tej, Ulsi manja u shpreh se dekreti i 10 qershorit, që anulonte zgjedhjet e datës 30 qershor, ishte i pavlerë dhe i paligjshëm, i rrëzuar nga KQZ dhe nga Kolegji Zgjedhor. “Ky akt i presidentit të republikës është i pavlerë. Sipas Kushtetutës presidenti nuk mund të zhvillojë kompetenca të tjera veç atyre që janë të përcaktuara në Kushtetutë. Në respektim të parashikimit kushtetues, se Shqipëria është Republikë Parlamentare, parlamenti mbështeti vijimin e procesit zgjedhor në datën 30 qershor, duke njohur si aktin e vetëm të ligjshëm dekretin e parë të presidentin. Në këtë rezolutë Kuvendi i Shqipërisë i bëri thirrje të zbatonin ligjin dhe Kodit Zgjedhor për të garantuar të drejtën kushtetuese për të zgjedhur strukturat e tyre drejtuese nëpërmjet zgjedhjeve”.