Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me një proces shkarkimi, rezultati i të cilës mund të përfundojë edhe me largimin e tij nga detyra. Gjithçka nisi me zbardhjen e një letre ku thuhej se Trump mund të ketë kërkuar ndihmë në mënyrë të paligjshme nga presidenti i Ukrainës për të rritur shanset e tij për rizgjedhje në vitin 2020.
Seancat e para dëgjimore publike filluan të mërkurën në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit që kontrollohet nga demokratët, me dëshmitë e dy figurave qendrore në procesin hetimor ndaj Trump, zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, George Kent dhe Ambasadori amerikan në Ukrainë, William Taylor. Seanca me dyer të hapura ishte kërkuar nga vetë republikanët për të nxjerrë zbuluar një proces, që siç e cilëson edhe vetë presidenti Trump është “gjueti shtrigash me motive politike”.
Kent dhe Taylor, të cilët dëshmojnë për herë të dytë, shprehën shqetësim lidhur me presionin ndaj Ukrainës duke pezulluar ndihmat dhe për praktikat e ndjekura në kontaktet me udhëheqjen ukrainase, që anashkalonte linjat zyrtare të komunikimit. Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, George Kent tha se “Bazuar në parimet e përgjithshme, nuk besoj që Shtetet e Bashkuara duhet t’u kërkojnë vendeve të tjera të angazhohen në hetime apo ndjekje penale të përzgjedhura dhe me ngjyrim politik, kundër kundërshtarëve të atyre që janë në pushtet, pasi akte të tilla të specifikuar minojnë shtetin ligjor, pavarësisht se me cilin vend bëhet kjo tentative”.
Në të njëjtën linjë qëndroi edhe ambasadori amerikan në Ukrainë, William Taylor në dëshminë e tij para dhomës së ulët të Kongresit duke kritikuar presionin që i ishte bërë udhëheqjes së Ukrainës nga kanale jo-zyrtare komunikimesh, që anashkalonin institucionet e rregullta. “Po ballafaqohesha me një linjë jo-zyrtare, të parregullt komunikimesh lidhur me Ukrainën, që nuk jepte llogari para Kongresit, një linjë që nuk respektonte praktikat e komunikimit përmes Departamentit të Shtetit”.
Vetë Presidenti Trump reagoi ndaj seancave publike me dëshmitë e dy diplomatëve se e gjithë kjo bëhet që demokratët “ta ndalojnë sepse ai lufton për amerikanët, por s’do e pengojnë kurrë“.