Shkarkohet Prefekti i Shkodrës, qeveria dërgon zv.ministrin e Brendshëm për të koordinuar situatën

AKTUALITET


Shkarkohet prefekti i Shkodrës  Çesk Millja. Qeveria ka vendosur të komandojë një zyrtar të lartë për të koordinuar situatën e krijuar nga koronavirusi në Shkodër, por jo vetëm. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka prezantuar sot si koordinator zv.ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari.

Lleshaj tha se Këshilli i Ministrave me vendim të sotëm, ka vendosur lirimin nga detyra e Prefektit të qarkut Shkodër të zotit Çesk Millja. Vendimi sipas tij është marrë në kuadër të përpjekjeve për një mbështetje më të madhe nga ana e Qeverisë për Shkodrën në tërësi dhe sidomos për mbështetjen e masave për tejkalimin e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

“Nëse ne kemi shprehur rezerva deri tani për gjendjen në Shkodër, kjo nuk do të thotë që të gjithë vërejtjet kanë qenë të adresuara vetëm tek Bashkia.
Ne mënyrën se si kane funksionuar apo nuk kanë funksionuar gjërat në Shkodër kanë ndikimin e tyre edhe drejtues të caktuar degëve territoriale në qark si dhe vetë Prefekti të qarkut si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë atje.
Për fat të keq, gjatë kësaj periudhe të pandemisë, është vërejtur një inerci burokratike e papranueshme, një hezitim për të marrë përsipër përgjegjësi dhe mungesë e lidershipit, aq të domosdoshëm, sidomos në situata të tilla, kur drejtuesit duhet të marrin përsipër përgjegjësi për vendime për të cilat jo domosdoshmërisht ekziston ndonjë praktikë e konsoliduar më parë. Situata të tilla kërkojnë iniciativë dhe vendimmarrje.
Çdo drejtues vihet përballë situatave të panjohura dhe përballë vendimmarrjeve ndonjëherë të pasigurta. Hezitimi për të vepruar dhe për të vendosur, mund të sjellë shkaktojë mosveprimin i cili sjell pasoja të paparashikueshme.
Mungesa e vendimmarrjes për menaxhimin e situatës është arsyeja e vendimit për lirimin nga detyra të Prefektit të Qarkut Shkodër”, deklaroi Lleshaj.



Skip to toolbar