Shkupi është mbushur sot me flamuj kuqezi, teksa qindra shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të marrë pjesë në protestën në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Protesta u thirr nga organizatat e veteranëve të UÇK-së dhe përbën tubimin e pestë radhazi, pas atyre të zhvilluara më herët në Prishtinë, Tiranë, Strasburg dhe Hagë. Me pankarta, simbole kombëtare dhe thirrje për drejtësi, pjesëmarrësit shprehën solidaritetin e tyre me të akuzuarit.
Protesta ka nisur me himnin kombëtar dhe ka vazhduar me mbajtjen e fjalimeve nga ana e ish-veteranëve të UÇK-së.
Berat Hajdari, veteran i luftës, përshëndeti të pranishmit dhe tha se sot nuk do fliste vetëm si anëtar i këshillit organizativ i protestës, por edhe si invalid i luftës që mban plagët e lirisë.
“Plagët tona nuk janë vetëm në trup, por janë kujtesë e gjallë e ditëve kur liria nuk ishte fjalë, por betejë. Sot kur shoh këtë mbështetje, zemra më rrahë si atëherë.”, u shpreh ai.
Ai shtoi se: “Jemi mbledhur për një kauzë që na dhemb, por mbi të gjitha na bashkon për të kërkuar drejtësi për komandantët e UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë. Nuk po kërkojmë të mohojmë drejtësinë, por jemi për ta kërkuar drejtësinë. Jemi për t’i përkujtuar botës se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, se historia nuk guxon të shtrembërohet, se lufta jonë e drejtë nuk guxon të baltoset. Ne kërkojmë që gjykimi të jetë i ndershëm, jo i bazuar në gënjeshtrat serbo-ruse.”
Një nga organizatorët e protestës, në hapje të protestës theksoi se UÇK-ja lindi në një nga periudhat më të errëta për Kosovën, jo si një forcë e zakonshme ushtarake, por si shprehje e shpirtit të pathyeshëm të një populli që refuzoi të jetonte në heshtje dhe padrejtësi.
Ish-veterani i UÇK-së: “Në një kohë kur terri dukej i pafund, kur toka e Kosovës dridhej nga padrejtësia dhe fytyrat e njerëzve ishin bërë hije nga frika, nga nëntoka e Dardanisë diçka u zgjua, jo një ushtri me armë të rënda, por një shpirt i lashtë, i papërkulur. U ngrit zëri i një populli që nuk pranonte të tretej në heshtje, u ngrit UÇK. Ajo nuk lindi në sallone politike, por në plagët e historisë, në lotët e nënave, në britmën e padrejtësisë, në zemrat e atyre që e donin këtë tokë më shumë se veten. Në uniformë të thjeshtë por shpirt të hekurt. Ata u bënë simbol i shpresës, i dinjitetit dhe populli u ngrit me ta.”
Ai shtoi se UÇK nuk përfaqëson luftën, por është thirrje për nder dhe identitet kombëtar dhe se beteja e sotme nuk zhvillohet me armë, por në kërkim të drejtësisë për çlirimtarët në sallat e gjykatave: “Thërrasim njëzëri liri për çlirimtarët! Sot beteja jonë nuk është me armë por me drejtësinë e mohuar nëpër gjykata.”
Veterani i UÇK-së, Hasan Haklaj, ishte folësi i dytë në protestën kundër Speciales që po mbahet në Shkup
