Shpërthime të forta në një bazë ajrore ruse në Krime

BOTA


Shpërthime të forta në një bazë ajrore ruse në gadishullin ukrainas të Krimesë të martën shkaktuan vrasjen e të paktën një personi dhe plagosjen e pesë të tjerëve, thanë autoritetet. Shkaku i shpërthimeve ende nuk dihet.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se municionet shpërthyen në bazën Saki në rajonin e pushtuar nga Rusia në vitin 2014, por theksoi se baza nuk ishte sulmuar.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga autoritetet ukrainase, por kishte spekulime të përhapura në rrjetet sociale të Ukrainës se forcat e Kievit kishin goditur bazën me raketa me rreze të gjatë veprimi. Pushuesit u larguan me nxitim nga një plazh aty pranë, ndërsa autoritetet mbyllën zonën përreth bazës brenda një rrezeje prej pesë kilometrash.

Forcat e Ukrainës nuk e kanë sulmuar Krimenë gjatë ofensivës ruse, e cila ka hyrë në muajin e gjashtë të saj. Zyrtarët në Moskë kanë paralajmëruar Ukrainën se çdo sulm ndaj Krimesë do të shkaktonte hakmarrje masive, duke përfshirë sulme në “qendrat vendimmarrëse” në Kiev.

Por një dron i pajisur me eksplozivë goditi selinë e flotës ruse në Detin e Zi, në portin e Sevastopolit në Krime, muajin e kaluar, një sulm për të cilin u fajësuan diversantët ukrainas. Baza Saki është përdorur nga avionët luftarakë rusë për të goditur zonat në rajonin jugor të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas thanë më herët të martën se në 24 orët e fundit të paktën tre civilë ukrainas u vranë dhe 23 të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse, duke përfshirë një sulm afër termocentralit bërthamor, në Zaporizhzhia, një qytet i pushtuar nga Rusia.

Guvernatori i Dnipropetrovskut, Valentyn Reznichenko tha se forcat ruse hodhën më shumë se 120 raketa në qytetin e Nikopolit, i cili ndodhet në anët tjetër të lumit Dnieper pranë objektit bërthamor. Disa ndërtesa banimi dhe objekte industriale u dëmtuan, tha ai.

Ditët e fundit, Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e centralit bërthamor më të madh në Evropë, dhe zyrtarët kanë qenë të shqetësuar nga mundësia e një katastrofe bërthamore./VOA



Skip to toolbar