Shqetësonte dhe fyente vajzat me rrjete sociale false, arrestohet 33-vjeçari nga Kurbini

AKTUALITET


Një 33-vjeçar nga Kurbini është arrestuar nga policia pas denoncimeve për fyerje në rrjete sociale. 33-vjeçari hapte llogari false si Facebook dhe Instragram dhe nëpërmjet tyre shqetësonte dhe fyente vazhdimisht një 24-vjeçare, si dhe mbante armë zjarri, pa leje.

Gjatë operacionit, në Fushë Mamurras, Policia gjeti në banesën e 33-vjeçarit dhe sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.

“Pas depozitimit të kallëzimit të një shtetase 24 vjeçare nga Durrësi në vitin 2023 mbi shqetësime të vazhduara nga llogari të ndryshme të falsifikuara në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila regjistroi procedimin për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit që hapte këto llogari në rrjetet sociale, si dhe është siguruar informacion se ky shtetas mbante armë zjarri, pa leje. Mbi bazën e provave të siguruara, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka urdhëruar kontrollin e banesës së shtetasit 33vjec., i dyshuar për hapjen e llogarive false në rrjetet sociale dhe për armëmbajtje pa leje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga kontrolli i ambienteve të banesës së këtij shtetasi, në Fushë Mamurras, Kurbin, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri tip kallashnikov dhe 2 krehra me 46 fishekë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Falsifikimi kompjuterik”./abcnews.al/



Skip to toolbar