Për sfidën mes Shqipërisë dhe Francës, policia ka marrë masa të forta sigurie, ku nuk kanë munguar edhe kufizimet në qarkullim, që kanë sjellë trafik të rënduar si brenda Tiranës, ashtu edhe në arteriet kryesore të hyrje-daljeve nga kryeqyteti.
Radhë kilometrike dhe trafik i rënduar janë shfaqur në të dy krahët, në hyrje dhe në dalje të Rinasit. Të shumë janë tifozët nga qytete të ndryshme që janë nisur drejtë kryeqytetit duke rënduar ndejshëm trafikun në aksin Kashar-Rinas dhe Fushë-Krujë-Rinas. Radha e automjeteve në pritje ka shkuar mbi 3 km.
Policia njoftoi që më herët se ka marrë masa ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore:
Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit, janë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj. Në të gjitha rrugët hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve.
Parkimi dhe qëndrimi i automjeteve në zonën e mësipërme nuk lejohet. Të gjitha automjetet që janë të parkuara brenda zonës së mësipërme janë larguar nga ora 12:00 e së dielës.
Automjetet e autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë nëpërmjet bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza” – Rektorati i UT. Në këtë pikë kontrolli për të gjitha automjetet do të bëhet kontrolli antieksploziv i tyre.