Përfaqësuesja shqiptare dhe ajo e Kosovës për femrat U19 kanë nisur rrugëtimin drejt Europianit, por me humbje të thella, ku secila prej ekipeve është mundur 8 me 0, respektivisht nga Gjermania dhe nga Danimarka.
Përfaqësuesja shqiptare e femrave U19 e nisi me këtë humbje të thellë përballë Gjermanisë, në një ndeshje të luajtur praktikisht vetëm me një portë. Rezultati përfundimtar 8-0 e tregon qartësisht diferencën mes dy ekipeve, por rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë, pasi vajzat kuqezi kanë evituar një katastrofë në këtë takim. Gjermania shënoi 4 gola që në 25 minutat e para, ndërsa mbylli me golin e pestë pjesën e parë të sfidës. Në fraksionin e dytë të lojës, ku trajneri i përfaqësueses gjermane largoi shpejt disa nga titullaret, Gjermania vazhdoi të kërkonte golin, duke shënuar edhe 3 herë të tjera për të mbyllur ndeshjen 8-0. Normalisht, kjo quhet një humbje e thellë, por në fakt nuk është aq keq, pasi statistikat e UEFA-s tregojnë se Gjermania ka tentuar 56 herë portën në këtë duel, duke çuar topin 23 herë në kuadrat. Praktikisht vajzat e drejtuar nga Mariglen Kule kanë shpëtuar mirë duke pësuar vetëm 8 gola, me portieren Esemeralda Noka.
Kosova iu bashkua Shqipërisë po me një humbje të tillë përballë Danimarkës, ndryshe nga skuadrat e moshave të Kosovës për meshkuj, që po marrin rezultate pozitive në kompeticionet ku marrin pjesë. Vajzat dardane janë mundur me rezultatin e thellë 8-0, duke e nisur këtë aventurë në mënyrën më të keqe të mundshme. Danezet kanë arritur të shënojnë nga 4 gola në secilën pjesë, duke u ngjitur menjëherë në vendin e parë në grup, aty ku bëjnë pjesë edhe Turqia dhe Hungaria.