Shqipëria ka biletat ajrore më të lira në botë, Corriere della Sera: Kambanë alarmi për turizmin në jug të Italisë

AKTUALITET


Prestigjiozja italiane “Corriere della Sera” i ka kushtuar një analizë uljes së çmimit të biletave të fluturimeve me avion drejt Shqipërisë. “Bumi turistik drejt Shqipërisë bëri që të shfaqen disa linja ajrore, por arsyeja kryesore qëndron në konkurencën e paprecedentë mes dy kompanive me kosto të ulët, që e bëjnë Shqipërinë vendin me biletat ajrore më të lira në botë” shkruan Corrire della Sera e cila thekson se tre të katërtat e biletave të shitura drejt Shqipërisë janë në duart e dy kompanive.

Sipas analizës së “Corriere della Sera” bazuar në platformat e specializuara, tarifat ajrore këtë vit në Tiranë kanë pësuar ulje, ndërkohë që sipas saj në vendet e tjera europian janë rritur ndjeshëm.

Lidhur me fluturimet Shqipëri- Itali, media italiane thotë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, biletat janë deri në 68% më të ulëta se në vitin 2019 dhe deri në 39% më të ulta se e njëjta periudhë e vitit 2023.

Ndërkohë që këto zhvillime cilësohen pozitive për Shqipërinë, “Corriere della Sera” i cilëson si një sfidë për Italinë dhe jo vetëm sepse në atë vend jeton një komunitet i madh shqiptar, por  edhe për shkak se vitin e kaluar plazhet shqiptare “u pushtuan” nga italianët. “Pikërisht ky bum turistik drejt Shqipërisë është një kambanë alarmi përsa i përket turizmit në jug të Italisë” –shkruan gazeta, ndërsa bën me dije se këtë vit, aeroporti i Tiranës nuk është kthyer vetëm në aeroportin me rritjen më të lartë në rajon, me 14 milionë vende në shitje, por ka tejkaluar edhe ofrertat e aeroporteve të rëndësishme italiane.



Skip to toolbar