Shtetet e Bashkuara heqin ndalimin e udhëtimeve për shkak të pandemisë

CORONAVIRUS


Shtetet e Bashkuara hoqën të hënën kufizimet në udhëtime nga një listë e gjatë vendesh, përfshirë Meksikën, Kanadanë dhe pjesën më të madhe të Evropës, duke i lejuar turistët të hyjnë në vend dhe anëtarët e familjeve të ribashkohen me të dashurit, pas më shumë se një viti e gjysmë kufizimesh për shkak të pandemisë së COVID-19.

Duke filluar nga e hëna, Shtetet e Bashkuara po pranojnë hyrjen e udhëtarëve plotësisht të vaksinuar në aeroporte dhe kufij tokësorë, duke hequr një kufizim të vendosur që në periudhën e administratës së ish presidentit Donald Trump. Rregullat e reja lejojnë hyrjen në rrugë ajrore për sa kohë që udhëtari ka dëshmi të vaksinimit dhe një test negativ për COVID-19. Udhëtarët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara në rrugë tokësore nga Meksika dhe Kanadaja, do të duhet të dëshmojnë vaksinimin, por nuk kanë nevojë për test.

Linjat ajrore presin më shumë udhëtarë nga Evropa dhe gjetkë. Të dhënat nga kompania e analitikës Cirium, treguan se linjat ajrore po rrisin fluturimet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara me 21 për qind këtë muaj krahasuar me muajin e kaluar.

Ndryshimi do të ketë një ndikim të thellë në kufijtë me Meksikën dhe Kanadanë, ku udhëtimi tutje tëhu ishte një mënyrë jetese, derisa pandemia goditi dhe Shtetet e Bashkuara ndaluan udhëtimet jo thelbësore.

Qendrat tregtare, restorantet dhe dyqanet në qytetet kufitare amerikane, janë shkatërruar nga mungesa e vizitorëve nga Meksika. Në kufirin me Kanadanë, rivalitetet ndërkufitare të ekipeve të hokejit ishin tradita të komunitetit derisa u përmbysën nga pandemia. Kishat që kishin pjesëtarë në të dy anët e kufirit shpresojnë të mirëpresin pjesëtarët e famullive që nuk i kanë parë gjatë mbylljes për shkak të COVID-19.

Të afërmit kanë humbur pushimet, ditëlindjet dhe funeralet ndërsa udhëtimet jo thelbësore ajrore ishin të ndaluara, dhe ata tani janë të etur për t’u rilidhur.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Shtetet e Bashkuara do të pranojnë udhëtarët që janë vaksinuar plotësisht me ndonjë nga vaksinat e miratuara për përdorim emergjent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, jo vetëm ato që janë në përdorim në SHBA. Kjo do të thotë se vaksina AstraZeneca, që përdoret gjerësisht në Kanada, do të pranohet.



Skip to toolbar