Shtohen barnat e rimbursueshme/ Ministrja e Shëndetësisë: Më shumë ilaçe për pacientët tumoriale

AKTUALITET


Mbi 12 mijë pacientë të cilët po përballen me sëmundjet tumoriale kanë marrë ilaçe të rimbursuara nga shteti përgjatë nëntë muajve të parë të vitit. Nga foltorja e Parlamentit, ministrja e shëndetësisë, Albana Koçiu tha se ndër të tjera janë shtuar edhe kontrollet në spitale.

“Ju garantoj se medikamentet e aprovuara apo të buxhetuara kanë mbërritur te qytetarët, lista e barnave të rimbursueshme është më e pasuruar se kurrë më parë. Trajtimi i sëmundjeve tumorale, është një sfidë komplekse për çdo sistem shëndetësor, ndaj flasim për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e tyre. Politikat shëndetësore duhet të lehtësojnë barrën e sëmundjeve për çdo familjar dhe të sëmurë.”, tha ministrja.

Kontrollet nuk kanë munguar as në farmaci ku afro 500 prej tyre janë inspektuar dhe janë marre edhe masa administrative

“Ne si ministri kemi rritur inspektimet dhe kontrollet mbi subjektet farmaceutike. Në vitin aktual nga janar në nëntor kemi 500 inspektime ku janë aplikuar masa administrative. Tregtimi në rrjet të hapur të barnave për përdorim spitalor përbën shkelje të legjislacionit. Çdo subjekt që kryen këtë shkelje do mbajë përgjegjësi ligjore. Nuk dua të shmang përgjegjësinë për stafet administrative për kontrolle periodike në farmaci dhe spitale. Kushdo që ka shkelur ligjin është i barabartë para ligjit.”, shtoi ajo.

Sipas Koçiut, buxheti i këtij viti do të jetë 36% më i lartë për trajtimin e kancerit në krahasim me vitin 2022./abcnews.al



Skip to toolbar