Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë, Adrian Shtuni, në lidhje direkte nga SHBA ka deklaruar në Real Story se prania e MEK në Shqipëri i rrit rreziqet për sigurinë kombëtare, ndërkohë që tentativa për një sulm terrorist nga organizata iraniane, nuk është një surprizë.
“Së pari nuk mendoj se ishte surprizë se ka aktivitete të Gardës Revolucionare të Iranit apo të njësisë të forcave speciale të këtij shteti në Shqipëri, duke qenë prezenca e MEK. Për mendimin tim është shumë mirë që nuk ka ndodhur një akt terrorist, duke iu referuar lajmit që është parandaluar, por jo për faktin se dikush po tenton të bëjë diçka. Kjo nuk duhet të na surprizojë”, deklaroi eksperti Shtuni.
Por, në këtë aspekt, ai theksoi se kjo është një sakrificë që po bën Shqipëria. Fakti që MEK janë një shënjestër e Iranit, kjo sigurisht rrit rreziqet dhe cenimet e sigurisë publike në Shqipëri. Pranimi i MEK nga Shqipëria është sakrificë, por është një sakrificë e vogël në raport me mbështetjen historike të SHBA” u shpreh Shtuni në Real Story.