Seanca e parë gjyqësore për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri nuk është realizuar sërish për shkak të mungesës së të pandehurve, pavarësisht se vetë ministri u paraqit që në mëngjes në gjykatë.
Saimir Tahiri akuzohet “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup i strukturuar kriminal”, por bashkë me të, në gjykim janë edhe tre ish-zyrtarë të policisë në Vlorë. Asnjëri prej tyre nuk u paraqit në gjyq, ndërsa ish-oficeri policor Jaeld Çela ka paraqitur një prokurë me anë të avokatëve të tij. Gjyqi i radhës do të mbahet më datë 3 korrik.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kërkuar që gjyqi i tij të jetë i pandërprerë dhe seancat të vijojnë çdo ditë në mënyrë që çështja ndaj tij të mos zvarritet më. Në një prononcim për mediat pasi doli nga gjykata, i pyetur se ku ka gabuar, Tahiri tha se nuk do të bëjë politikë.
“Jam ministri më jetëgjatë dhe më i miri në historinë e pluralizmit. E kam boll një gjyq politik nuk kam nevojë të bëj politikë këtu jashtë. Mendova dhe mendoj se nuk ka nevojë të zvarritet ky gjyq. Kam arsye të besoj se ka shumë të cilët janë të interesuar që kjo situatë të vazhdojë kjo, unë të zvarritem në procese gjyqësore dhe nuk janë të interesuar për drejtësi. Unë jam i vetmi i interesuar për drejtësi. I kërkova gjykatës që mundësisht t’i bëj seancat ditë për ditë. Ka dy vjet që zvarritet kjo histori. Unë jam hetuar personalisht në Itali dhe prokuroria e antimafias në Itali dhe gjykatat e dhanë verdiktin e tyre dhe thanë që Saimir Tahiri nuk ka pikën e lidhjes me këtë histori. Ajo karroca është vetëm materialet e Italisë”, tha Tahiri.
Gjyqtarët që po shqyrtojnë dosjen penale të Tahirt janë Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.
Ish Ministri i Brendshëm akuzohet se ka favorizuar grupin kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ai përfundoi i pandehur pasi u hetua për 18 muaj, që nga tetori i vitit 2017 kur u ngritën dyshimet se sa ka lidhje me grupin e Habilajve që trafikonte drogë drejt Italisë.
Bashkë me Saimir Tahirin të pandehur u morën dhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode.
Ish-ministri i ka mohuar akuzat e prokurorisë, pasi sipas tij organi i akuzës nuk ka asnjë provë kundër tij. Më herët prokuroria e Katanias mbylli hetimet ndaj ish-ministrin e Brendshëm, pasi ndaj tij nuk u gjetën prova që e implikonin në trafikun e drogës.