Ka vdekur në moshën 78 vjeçare artistja e njohur italiane Raffaella Carrà. “Raffaella na la. Iku në një botë më të mirë, ku humanizmi i saj, e qeshura e saj dhe talenti i saj i jashtëzakonshëm do të shkëlqejnë përgjithmonë’. Me këto fjalë Sergio Japino ka dhënë lajmin e trishtë duke ju bashkuar kështu dhimbjes së nipave të dashur Federica dhe Matteo, Barbara, Paola dhe Claudia Boncompagni, të miqve të saj të përjetshëm dhe bashkëpunëtorëve më të dashur.
Ajo është autore e dhjetëra këngëve të njohura, ka luajtur në disa filma si dhe ka drejtuar një sërë emisionesh të njohura si “Domenica in”, “Ma che sera”, “40 minuti con Raffaella”.
Flokët e saj biondë u bënë simbol i vërtetë i sensualitetit natyror. Raffaela me këmbënguljen, profesionalizmin maksimal dhe një karakter unik të paimitueshëm ka arritur t’i bëjë ballë ‘përbindëshave’ të shenjtë të Televizionit si Pippo Baudo, Mike Bongiorno, Corrado, Paolo Panelli dhe Alighiero Noschese. Gjithashtu të luash në një nivel me yje të kalibrit si Mina nuk ishte aspak e lehtë. Carra është ajo që kërcen dhe rrotullohet duke buzëqeshur plot sensualitet në “Canzonissima”, apo që identifikohet me njerëzit e thjeshtë në spektaklin “Carramba”.
Raffaella Maria Roberta Pelloni, ky është emri i saj i vërtetë, lindi në Bolonjë më 18 qershor 1943 dhe u rrit në Romagna. Ndërsa ishte ende fëmijë, ajo u transferua në Romë për të studiuar në Akademinë Kombëtare të Vallëzimit dhe në Qendrën Eksperimentale për Kinematografinë. Vetëm në vitet 1960 ajo ndryshoi emrin duke përdorur pseudonimin e artit me të cilin e njohin të gjithë.
Raffaella Cara ka prezantuar gjithashtu spektaklin e famshëm italian “Sanremo” si dhe ka marrë pjesë në Eurovision.