Si do duket Gjermania me një kancelar të ri pas dominimit të Merkel

BOTA


Nga dje Gjermania ka një kancelar të ri, i pari pas 16 vitesh qeverisje të Angela Merkelit. Olaf Scholz zyrtarisht mori detyrën dje pasi tre parti – Social Demokratët (SPD), Të Gjelbrit dhe Liberalët (FDP) – formuan të ashtuquajturin koalicionin “semafori”.

Marrëveshja e koalicionit e hartuar nga qeveria e re gjermane i jep dritën jeshile reformimit shoqëror. Dokumenti prej 178 faqesh quhet “Guximi për të bërë më shumë përparim” gjersa përshkruan udhërrëfyesin politik të koalicionit për Gjermaninë.

Fokusi kryesor është lufta kundër pandemisë së coronavirusit, duke pasur parasysh se Gjermania ka shënuar një rritje drastike të numrit të të infektuarve në muajt e fundit.

Gjata shpalosjes së marrëveshjes të koalicionit, Olaf Scholz njoftoi krijimin e një shtabi të përhershëm të krizës për coronavirusin, i cili do t’i raportojë qeverisë në baza ditore.

Komiteti do të përbëhet nga politikanë kombëtarë dhe rajonalë, si dhe ekspertë në virologji, epidemiologji, sociologji dhe psikologji. Gjithashtu, vendimi i parë i qeverisë së re është vendosja e vaksinimit të detyrueshëm nga shkurti i vitit të ardhshëm.

“Vaksinimi duhet të bëhet i detyrueshëm në vendet që kujdesen për grupet veçanërisht të cenueshme”, tha Scholz.

Bonuse për profesionistët e kujdesit shëndetësor

Punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit e shtëpive të pleqve do të marrin shpërblime për punën e tyre të palodhur gjatë pandemisë.

Scholz tha se një miliard euro “në fillim” do të destinohen për këtë qëllim. Edhe qeveria e re synon ta bëjë më tërheqëse punën në këtë fushë duke rritur pagat.

Ndryshimi i klimës

Siç pritej, ndryshimi i klimës është fokusi kryesor dhe qeveria e re dëshiron që të gjitha ligjet e ardhshme të kontrollohen dyfish për ndikimin e tyre në ndryshimet klimatike, gjë që nuk është për t’u habitur duke qenë se të Gjelbrit janë një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në qeveri.

Energjia e rinovueshme do të inkurajohet duke instaluar pajisje diellore në ndërtesat e reja të zyrave, banesave dhe duke krijuar më shumë ferma me erë, veçanërisht në det.

Objektivat ambicioze janë që deri në vitin 2030, rreth 80 për qind e energjisë elektrike të vijë nga burime të rinovueshme dhe 50 për qind e ngrohjes duhet të jetë neutrale ndaj klimës.

Gjithashtu, qymyri, nëse është e mundur, do të largohet deri në vitin 2030 dhe më në fund do të fillon numërimi pas për automjetet me djegie karburante.

Pyetja e përjetshme: Emigrantët

Qeveria e re do të ndryshojë edhe ligjet për shtetësinë. Partitë e koalicionit po planifikojnë reforma për ta bërë më të lehtë marrjen e nënshtetësisë gjermane. Natyralizimi është i mundur pas pesë vjetësh, ose pas tre vjetësh nëse aplikantët janë dalluar në aspektin e integrimit.

Fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër që nuk janë shtetas gjermanë do t’u jepet automatikisht shtetësia nëse njëri prej prindërve ka banuar në vend për të paktën pesë vjet.

Sipas marrëveshjes së koalicionit, migrimi duhet të jetë “i parashikueshëm dhe realist”, ndërsa “migrimi i parregullt” duhet të reduktohet.

Koalicioni synon gjithashtu të zvogëlojë barrën mbi Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët. Vizat do të zgjidhen në mënyrë dixhitale dhe më shpejt gjersa ka plane për heqjen e ndalimeve aktuale të punësimit “për njerëzit që tashmë jetojnë në Gjermani”.

Dixhitalizimi: Hiq burokracinë

Koalicioni synon ta bëjë Gjermaninë gati për një të ardhme dixhitale dhe të heqë pengesat burokratike aktuale. Të tre partitë duan të fillojnë reformimin e strukturave administrative.

SPD, të Gjelbrit dhe FDP e shohin dixhitalizimin dhe transparencën në sektorin publik si një mënyrë për ta arritur këtë. Qëllimi i tyre është të përshpejtojnë proceset e miratimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për projektet e infrastrukturës.

Përfitimet sociale: Të ardhurat e qytetarëve, jo Hartz IV

Koalicioni i ri kërkon të zëvendësojë skemën e pagesës së papunësisë të njohur si Hartz IV, me atë që ata i quajnë të ardhurat e qytetarëve.

Në vitin 2022 do të rritet në 449 euro në muaj për një person – një rritje prej 3 euro.

Pensionet mbeten të pandryshuara

Koalicioni i ri ka pranuar të mbajë moshën e pensionimit në 67 vjeç. Pensionet nuk duhet të bien nën 48 për qind të nivelit të të ardhurave mesatare aktuale.

Në katër vitet e ardhshme kontributet pensionale do të mbeten të ngrira në masën 20 për qind.

Mbrojtja: Drone të armatosur për ushtrinë

Sipas planeve të koalicionit të ri, forcat e armatosura gjermane do të mund të armatosin dronët e tyre në të ardhmen, me kusht që të ketë transparencë dhe konsideratë të aspekteve të sigurisë dhe etikës.

“Dronët e armatosur mund të kontribuojnë në mbrojtjen e anëtarëve të forcave të armatosura në misionet ndërkombëtare”, shkruan në marrëveshjen tre palëshe.

Moratoriumi i borxhit mbetet pezull

Moratoriumi i borxhit të ri mbetet në pritje deri në vitin 2023, sepse ekonomia ka ende nevojë për ndihmë për të kapërcyer pandeminë.

Do të duhet të sigurohen miliarda të tjera për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të kaluar në energjinë e rinovueshme.

Infrastruktura: Zgjerimi i hekurudhave dhe lëvizshmëria elektronike

Të Gjelbrit kërkuan një kufizim të shpejtësisë në të gjitha autostradat ndërshtetërore gjermane, por kjo nuk u përfshi në marrëveshjen përfundimtare.

Në vend të kësaj, qëllimi është që të ketë të paktën 15 milionë vetura elektrike në rrugët gjermane deri në vitin 2030, me një zgjerim përkatës të infrastrukturës së stacioneve të karikimit.

Transporti hekurudhor gjithashtu duhet të luajë një rol të rëndësishëm. Për shembull, më shumë mallra duhet të zhvendosen nga rruga në hekurudhë. Trafiku hekurudhor i mallrave duhet të rritet me një të katërtën në krahasim me nivelet aktuale.

Qëllimi i koalicionit – të forcojë rolin e Gjermanisë si vend eksportues, ndërkohë që industria duhet të jetë neutrale ndaj klimës.

Qindra mijëra shtëpi të reja

Në zonat e dendura me banesa, qiratë duhet të rriten me vetëm 11 për qind në tre vjet. Deri më tani, rritjet prej 15 për qind kanë qenë të mundshme.

Rreth 400 mijë apartamente të reja duhet të ndërtohen në vit, nga të cilat 100 mijë do të ndërtohen me fonde publike.

Arsimi: Transformimi Dixhital i Shkollave

Ekziston një konsensus midis të gjitha partive politike gjermane se arsimi është një investim kyç në të ardhmen.

Marrëveshja e koalicionit thotë se Gjermania dëshiron t’u ofrojë të gjithëve mundësitë më të mira për arsim, pavarësisht origjinës, për të mundësuar dhe siguruar pjesëmarrjen dhe lëvizshmërinë sociale përmes arsimit gjithëpërfshirës.

Këto tri parti synojnë të mbështesin shkollat veçanërisht në zonat e pafavorizuara sociale.

Modernizimi i sistemit shkollor me ndihmën e teknologjisë së re dixhitale është në krye të këtyre ambicieve. Qëllimi është krijimi i një “mjedisi modern të të mësuarit dhe laboratorëve krijues”.

Ligji zgjedhor: Më shumë pushtet për të rinjtë

Demonstratat e “E Premtja për të Ardhmen” treguan se të rinjtë duan dhe dinë të përfshihen në politikë. Marrëveshja e koalicionit kërkon ta marrë këtë parasysh duke ulur moshën e votimit nga 18 në 16 vjeç.

Megjithatë, kjo do të kërkonte një ndryshim në kushtetutën gjermane, kështu që do të duhej mbështetja e disa prej partive opozitare.

Legalizimi i kanabisit

Qeveria e re ka rënë dakord të prezantojë “shitjen e kontrolluar të kanabisit për qëllime rekreative në dyqanet e licencuara”.

Partitë e koalicionit presin që kjo “të sigurojë kontrollin e cilësisë, të parandalojë përhapjen e substancave të kontaminuara dhe të garantojë mbrojtjen e të miturve”./dw



Skip to toolbar